Site icon Telegrafi

Bllokimi i gypave të kanalizimit në Bujan të Lipjanit nga viti i kaluar, nxit reagimin e banorëve

Një pjesë e banorëve të fshatit Bujan të Komunës së Lipjanit, që nga viti i kaluar po përballen me bllokimin e gypit kryesor të rrjetit të kanalizimit. Ata janë ankuar se Komuna nuk ua ka rregulluar atë, ani pse janë ankuar disa herë në drejtorinë për Shërbime Publike.

Sipas banorëve të këtij lokaliteti, kundërmimi i rrjetit të kanalizimit afër shtëpive të banimit dhe nëpër toka bujqësore, po e vështirëson jetesën e tyre.

Ata sërish po kërkojnë mbështetjen institucionale për riparimin e defekteve në rrjetin e kanalizimit.

Feti Buja, banor i këtij fshati, ka thënë për Telegrafin se banorët nuk po arrin t’i punojnë as tokat bujqësore, pasi që ujërat e zeza kanë depërtuar mbi sipërfaqen e tokës.

“Kanalizimi është i bllokuar nga vjeshta e vitit 2023. Edhe pse kuvendarët nga radhët e opozitës e kanë ngritur si shqetësim në Kuvend, prapë se prapë Komuna nuk e ka ndërmarr as një hap për rregullimin e defektit në rrjetin e kanalizimit. Tani jemi në hall sepse ujërat e zeza po kundërmojnë në masë të madhe shkaku i temperaturave të larta, andaj po vështirësohet edhe jetesa e banorëve. Këtu kemi shumë shtëpi që janë afër këtij defekti dhe kërkojmë nga Komuna që urgjentisht të dalë në terren dhe ta rregullon rrjetin sepse as tokat bujqësore nuk po arrijmë  t’i punojmë”, është ankuar Buja.

Telegrafi ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit Burim Rrustemi, por ai nuk ka qenë i qasshëm./Telegrafi/

Exit mobile version