Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken komentoi sjelljen e presidentit të Republikas Srpska, Milorad Dodik dhe u dërgoi një mesazh qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës.
Blinken e krahasoi Dodikun me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
“Sulmet e Milorad Dodik ndaj të drejtave dhe lirive themelore në Republika Srpska tregojnë se ai është në rrugën autoritare të presidentit Putin. Departamenti i Shtetit, i përfaqësuar nga ambasadori Murphy, vazhdon të avokojë për të ardhmen demokratike dhe të begatë që të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovina e meritojnë”, shkroi Blinken në Twitter.
Ky mesazh i shkurtër është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse Blinken, i cili praktikisht është personi i dytë më i rëndësishëm në administratën amerikane pas presidentit, iu drejtua drejtpërdrejt Dodikut.
Milorad Dodik’s attacks on basic rights and freedoms in Republika Srpska show he is on President Putin’s authoritarian path. @StateDept, represented by Amb. Murphy, continues to advocate for the democratic and prosperous future that all citizens of Bosnia and Herzegovina deserve.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) March 29, 2023
Kjo tregon se Uashingtoni i kushton shumë vëmendje ngjarjeve në Bosnje-Hercegovinë dhe se lëvizjet e Milorad Dodik po ndiqen nga afër.
Kujtojmë se Republika Serbe nën drejtimin e Dodikut njoftoi ose inicioi miratimin e një sërë ligjesh që do të cenonin drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e njeriut, si ligji për median, organizatat joqeveritare, popullatën LGBT etj. Këto lëvizje patën jehonë të qartë në Uashington.
Përveç kësaj, Dodik vendosi që Republika Srpska të prishë marrëdhëniet diplomatike me ambasadën e SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë, që është një veprim jashtëzakonisht armiqësor që me siguri do të pasohet nga një përgjigje e ashpër. /Telegrafi/