Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Aktori Blerim Destani, ka një karrierë të pasur artistike, edhe pse është pjesë e brezit të ri të aktorëve, ka sjellë para publikut personazhe dhe karaktere nga më të ndryshmet. Ajo që e bën të ndihet në vetvete shumë të sigurt drejt këtij profesioni, ka qenë fakti i të qenit gjithmonë i përkushtuar në punë. Ai punon me regjisorë të famshëm, me të cilët ka vite që njihet dhe janë pikërisht ata që i dhanë shtysën për të vijuar ëndrrën e aktrimit.
Më tej, gjatë kësaj interviste, Blerimi na tregon më shumë për jetën e tij artistike, sukseset e deritanishme, jetën private dhe na zbulon projektet në vazhdim.
Blerim, si mund të na i përshkruani fillimet e para në artin skenik: ishin dëshirë, pasion, apo sfida për të ecur e bërë diçka në jetë?
Ishte dëshira ime për të jetësuar pasionin që ndjeja për aktrimin. Dhe kuptohet sfidë që në jetë pasionin tim ta kem edhe profesion të jetës. Kuptohet që nuk ishte e lehtë, por gjërat e mira nuk arrihen lehtë në jetë. Sot kur e shikoj karrierën time jam i lumtur që në themelet e saj kam aq shumë emocione të fuqishme dhe përkushtim ndaj profesionit tim.
Kur e bindët vetveten tuaj që "aktori" do të jetë profesioni i juaj? Dhe cili ishte gjykimi që i dhatë vetvetes që të ushqeni dëshirën të bëheni "aktor"?
Këtë bindje e kisha që në moshë të re, pasi jo vetëm unë, por edhe anëtarët e familjes u bindën që unë me shumë pasion interpretoja gjithçka që kisha parë apo përjetuar brenda një kohe të shkurt. Kjo dalëngadalë u zhvillua brenda meje dhe me përkrahjen e Babait tim i cili po ashtu është i pasionuar ndaj artit e vendosa që t’i rrekem rrugës që pasionin tim, pra aktrimin ta kem profesion të jetës.
Keni pasur mbështetje për të ecur në këtë rrugë që ke nisur?
Përkrahja e parë ka qenë inkurajimi që më dha Babai që të mos heq dora nga ëndrra ime, pastaj me hapat e parë kisha përkrahjen e familjes e cila përkrahje ishte vendimtare që të vazhdoj në këtë rrugë.
Sa ka ndikuar suksesi te ‘Koha e kometës’ që të marrësh të tjera propozime nga regjisorë të huaj?
Ka ndikuar shumë, unë me “Koha e kometës” në njëfarë mënyre dëshmova potencialin tim aktoresk, dhe puna ime u vlerësua si nga ana e publikut ashtu edhe nga ana e kritikës. Dhe kështu më pas pasuan edhe disa oferta tjera.
Aktori jeton për një kohë të gjatë me personazhin që kur e nis punën me provat deri te shfaqjet në skenë, madje edhe pas tyre… Ç’do të thoshit lidhur me punën, përjetimet e këtij procesi?
Ju po flisni për përvojat e aktorëve në skenën e teatrit, unë ende nuk kam një përvojë të tillë, kuptohet përveç punëve që kemi bërë në skenë e akademisë gjatë shkollimin. Por si proces është i njëjtë. Është proces kur aktori brenda vetes hulumton pikat e përbashkëta me personazhin, dhe ndërtimi i strukturës emocionale për t’u identifikuar me personazhin. Dhe ky proces vazhdon dhe është prezent te aktori edhe shumë kohë pas përfundimit të xhirimeve, pasi gjatë këtij procesi aktori brenda vetes zgjon përjetime që në jetën private ka arritur t’i shuaj apo t’i harroj.
E prisnit suksesin tuaj si aktor? Sa rëndësi ka vetëbesimi në rrugën që keni zgjedhur?
Sigurisht që po, kur një punë e bën me përkushtimin maksimal edhe vlerësimi nuk mund të mungoj. Vetëbesimi ka rëndësi në këtë profesion për të mbajtur përherë në hap me kohën.
Si është të punosh me regjisorë të mëdhenj? Janë ata njerëz të vështirë apo jua kanë lehtësuar punën?
Ne aktorët zakonisht themi: është kënaqësi të punosh me regjisor që e dinë dhe duan punën e tyre, prandaj edhe e dinë se çka të kërkojnë nga aktorët. Të gjithë regjisorët e mëdhenj me të cilët kam punuar më kanë bindur në këtë, dhe e kam pasur shumë të lehtë punën me ta.
Cilat kritere mund të vlerësojnë te një aktor atë që thuhet "talent"?
Kriteret janë të shumtë, por talenti thjesht ndjehet, nuk mund të shpjegohet.
Është e vështirë t`u japësh formë karaktereve që të besohen?
Procesi i formësimit të karaktereve është procesi më eksitues në punën e aktorit. Dhe ndodh që në disa raste kur karakteri është i përafërt me aktorin atëherë aktori më shpejt shkon te karakteri.
Kërkimi brenda vetes, është ndopak i lodhshëm për një aktor?
Bekim Fehmiu përveç shumë veprave që na ka lënë në trashëgimi, na ka lënë edhe një definicion. Ai për aktorin thoshte: aktori është një minator që gjatë gjithë jetës së tij gërmon brenda vetes për të nxjerrë veprat e tij. Sigurisht që një proces i tillë është i vështirë, por ka edhe kënaqësinë kur e krijon veprën.
A duhet të ketë aktori prirje, apo çdo gjë e arrin vetëm me punë dhe insistim?
Talenti është dhunti, por edhe talenti si dhunti pa punë dhe përkushtim nuk mund të zhvillohet.
Sa ka prirje narcisoide te një aktor?
Varet nga integriteti personal i aktorit.
Shumë aktorë kanë idhujt e filmit? Cili është aktori juaj i preferuar?
Për mua idhull i imi ishte dhe do të mbetet Bekim Fehmiu. Fundja, sukseset e tij për mua që në moshë të re kanë qenë inspirim i pashtershëm.
Aktorëve ndonjëherë u ndodh që të bien në depresion për shkak të natyrës së veçantë të roleve, sidomos kur ata e përjetojnë tepër dhe zhyten thellë edhe në jetën e përditshme me personazhin e tyre. Sa ndodh kjo me ju?
Është një fazë pas përfundimit të filmit kur të duhet të largosh gjërat që i ke zgjuar brenda teje si përjetime të nevojshme për rolin. Por, nuk më ka ndodhur që të bie deri në atë shkallë të depresionit.
Krahas aktrimit, veçoheni nga aktorët tjerë edhe me pamjen interesante. Si do ta përshkruanit stilin tuaj?
Aktori trupin e vet e ka mjet shprehës, dhe unë kujdesem që gjithçka që kam si mjet shprehjeje në profesionin tim të jetë në hap me kohën.
Të merresh me art është edhe pak sakrificë, sepse nuk ka orar këtu… E ke kuptuar pse i tërheq dhe je i pëlqyer nga femrat?
Në profesionin tonë gjithçka është me orar. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, më duhet të them që nuk mund unë të përgjigjem. Mund t’i pyesni ato që thonë se më pëlqejnë.
Mendon se jo rrallë tërheq vëmendjen e seksit tjetër?
Më pëlqen cilësimi juaj “jo rrallë”, më pëlqen kjo “jo rrallë”, nuk do më pëlqente nëse do thoshit “shpesh”.
Çfarë janë dhe çfarë duan femrat?
Femrat janë qeniet më të buta dhe më të bukura në këtë botë, si të tilla janë edhe të mistershme dhe duhet hulumtuar e studiuar me shumë vëmendje. Pasi janë ashtu siç janë, femrat duan vëmendje, vlerësim të asaj se çfarë janë dhe përkushtim maksimal ndaj tyre.
Ç’duhet të ketë një femër që të veçohet nga turma?
Çdo femër është e veçantë dhe dallohet nga të tjerat, mund të kesh një buqetë me lule të bukura, por këtë e percepton kur buqetën e sheh nga larg, kur e afron shikimin fillon të dallosh çdo lule veç e veç, pasi ato edhe janë të veçanta dhe me karakteristika të veçanta.
Ke dalë ndonjëherë nga shtëpia me idenë “për të gjuajtur” apo ia lë gjithçka rastësisë?
Shumë rrallë më ndodh që nga shtëpia të dal pa agjendë se ku duhet të shkoj, por sa i përket asaj që sugjeroni ju, më pëlqen “rastësia”.
Në një marrëdhënie beson te çasti apo te përjetësia?
Besoj në çastin që e ndal kohën duke shndërruar atë çast në përjetësi.
Sa herë duhet të ndjejë njeriu erotikën; një herë, apo t’i hapë zemrën sa herë që troket?
Njeriu e ndjen erotikën aq sa ka erotikë brenda vetes. Nëse nuk ka asgjë brenda vetes, të kota janë të trokiturat…
Mënyra më e mirë për të refuzuar një femër…
Nuk njoh mënyra të tilla, për femrat kam vetëm respekt.
Një femër e vetmuar, të josh apo të tremb?
Femra edhe e vetmuar e ka misterin e vet dhe nuk mund të tremb.
Ke vuajtur ndonjëherë nga mungesa e vëmendjes së një femre ndaj teje?
Jo.
Sipas Oscar Wilde, “janë interesantë meshkujt me të ardhme dhe femrat me të shkuar”. Ti, ia mbështet mendimin?
Wilde te ky konstatim ka ardhur në bazë të referencave personale të tij, dhe e kuptoj thelbin e kësaj që ka thënë. Unë do kisha thënë që një mashkull dhe një femër vetëm një e ardhme e përbashkët mund t’i takoj. Pasi e ardhmja mund të kërkoj që në të kaluarën dhe të tashmen të ndodhin apo të kenë ndodhur disa gjëra, apo procese.
Çfarë nuk pëlqen te vetja?
Mungesa e kohës, në shumë raste për shkak të angazhimeve më mungon koha për veten.
Jashtë skenës dhe preokupimeve si nis një ditë e zakonshme për ju?
Dita pa angazhime nisë me kafenë e parë duke planifikuar kohën për miqtë dhe shoqërinë.
Hobi juaj, dobësia juaj?
Hobi – veturat, Dobësi – e dua jetën.
Të kthehemi tek profesioni, më parë tek aktrimi. Në cilët filma është shfaqur më tepër Destani?
Në secilin film që kam luajtur, kam investuar diçka nga vetja.
Me gjykimin e tanishëm, si i shihni filmat që keni realizuar?
Jam i kënaqur që karriera ime është duke u zhvilluar gradualisht. Filmat e realizuar nuk i shikoj me gjykim të tanishëm, pasi njeriu ec e zhvillohet në jetë falë përvojave të reja që përjeton, dhe pikërisht filmat për mua janë përvojat më të mira në jetë, dhe dëshmitë e kohës.
Çfarë jeni duke punuar momentalisht, cilët janë projektet të cilat do t’i shpalosni së shpejti?
Pak ditë para vitit të ri mbarova xhirimet e filmit gjerman “Gier” ku luajta bashkë me aktorin e njohur gjerman Heiner Lauterbach. Në vitin 2011 kam punuar në Gjermani, Holandë, Austri, Belgjikë, ndërsa tani jam në përgatitje për projektet e ardhshme që do të xhirohen jashtë Evropës. Për to do të flasim pasi të realizohen.
/Telegrafi/