Bizneset e pakënaqura në rajone periferike të Kosovës, janë duke planifikuar të padisin KEDS për trajtim të pabarabartë. Sipas tyre, furnizimi i tyre me rrymë është i çrregulluar dhe po dëmton biznesin e tyre. Zyrtarët e KEDS thonë se po i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë konsumatorët.
Bizneset nga rajonet e ndryshme të Kosovës konsiderojnë se po u bëhet padrejtësi nga ana e KEDS, pasi po furnizohen me më pak rrymë se sa kryeqendra.
Për këtë arsye, Burim Piraj, me fabrikën e tij në Dragash, tha se janë duke planifikuar ngritjen e padisë ndaj KEDS.
“Kemi bashkëpunim me shoqatat e biznesit, jemi duke punuar në këtë drejtim që të bëhet një padi kolektive e disa bizneseve ndaj KEDS-it dhe të kërkohet llogari. Pse të mos kërkohet llogari kur jemi shumë para-pagues të rregullt të energjisë elektrike dhe ata nuk kanë problem me neve për pagesë, ashtu edhe ne duhet të mos kemi problem me ta për furnizim me energji elektrike”, tha Piraj.
Por nuk është vetëm ky rajon i pakënaqur me trajtimin nga ana e KEDS-it. Janë edhe biznese nga rajoni i Ferizajt, të cilët kanë ankesa të shumta, sikurse që është prodhuesi Bekim Musliu.
“Shumë ka probleme me rrymë. KEDS-i 10 herë ta ndalë rrymën, një herë të lajmëron që ka ndalje të rrymës. S’të lajmëron me kohë, kur t’i teket ta ndalë”, tha Musliu.
Por zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se njoftimet për ndalje të rrymës bëhen rregullisht. Ai po ashtu siguron se nuk ka reduktime të energjisë elektrike.
“Ju garantoj që KEDS nuk është duke aplikuar reduktime jo vetëm për biznese, por për asnjë konsumator anë e kënd territorit të vendit”, tha ai.
Trajtimin e pabarabartë të rajoneve të Kosovës me furnizim me rrymë e potencon edhe kryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova, Hysni Gashi.
“Kjo mjerisht po bëhet me ndihmën e këtyre njerëzve vasalë që unë po i quaj, dëgjues të mirë të menaxhmentit, ata shkojnë nënshkruajnë që po e ndalin rrymën për gjoja sa për të punuar diçka, pa punuar fare, gjë të cilën e ka konstatuar edhe ZRRE këtë punë. Fshatrat reduktohen në mënyrë të pamëshirshme, por edhe të gjitha qytetet e tjera përveç Prishtinës edhe Prizrenit”, tha Gashi
Këtë pohim e ka konfirmuar afaristi Piraj, duke thënë të dielën se Dragashi mbeti pa energji prapë mbi 6 orë. /RadioKosova/Telegrafi/