Site icon Telegrafi

Biden konfronton princin e kurorës saudite për vrasjen e Khashoggit

Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se i tha princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman se e konsideronte atë përgjegjës për vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi, derisa ata zhvilluan bisedime që synonin të rivendosnin marrëdhëniet me aleat kyç arab.

Biden, duke folur pas takimeve me liderët më të lartë të Arabisë Saudite, tha se princi i kurorës mohoi përfshirjen, transmeton Telegrafi.

Presidenti amerikan me të mbërritur në Arabinë Saudite ka bërë një përshëndetje me grusht me princin e kurorës bin Salman, dhe shtrëngoi duart me mbretin Salman.

“Në lidhje me vrasjen e Khashoggi-t e ngrita atë në krye të takimit, duke e bërë të qartë se çfarë kam menduar për rastin në atë kohë dhe se çfarë mendoj tani”, iu tha Biden gazetarëve.

“Unë isha i drejtpërdrejtë dhe direkt në këtë diskutim. E bëra super të qartë pikëpamjen time. E thashë shumë drejtpërdrejt, që një president amerikan të heshtë për një çështje të të drejtave të njeriut nuk është në përputhje me atë se kush jemi dhe kush jam unë”.

Princi i kurorës Mohammed bin Salman u akuzua nga agjencitë e inteligjencës amerikane për miratimin e vrasjes së Khashoggit.

Siç bëhet e ditur, princi i kurorës gjithmonë i ka mohuar akuzat dhe prokurorët sauditë fajësuan agjentët “mashtrues” sauditë. /Telegrafi/

Exit mobile version