Aktivitetet për shënimin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në Prizren, kanë filluar të premten, me programin festiv të përgatitur nga Biblioteka e Qytetit, në bashkëpunim me Shkollën e Muzikës “Lorenc Antoni” dhe shkollat tjera të mesme të kësaj komune.
Në këtë ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” është theksuar se në ditët e festave gjithnjë duhet kujtuar sakrificën e dëshmorëve të kombit dhe luftën e UÇK-së për liri dhe pavarësi.
Drejtoresha e Bibliotekës së Qytetit, Sahadete Sadikaj-Kukaj ka përkujtuar se ky institucion cdo vit organizon aktivitete për nder të kësaj feste dhe se sivjet programi artistik është realizuar në bashkëpunim me Shkollën e Muzikës “Lorenc Antoni” dhe shkollat tjera të mesme.
“Në emër të Bibliotekës ju uroj të gjithëve, dhe ju ftoj që të festojmë dhe të krenohemi me shtetin tonë, dhe të kontribuojmë për zhvillimin e Kosovës tonë”, ka thënë ajo, raporton Telegrafi.
Drejtor i Shkollës së Muzikës “Lorenc Antoni”, Vesel Krasniqi ka uruar që vitin e ardhshëm kjo festë të shënohet “bashkë me ideatorët që e shkruan Kushtetutën e Kosovës”.
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prizrenit, Adem Morina ka theksuar se për të ardhur deri në ditën e 17 shkurtit të vitit 2008 është nevojitur sakrificë e madhe.
“Prandaj një nderim të veçantë me përulje meritojnë të gjithë dëshmorët, invalidët dhe veteranët e UÇK-së që sollën lirinë e pavarësinë e Kosovës, të cilën ne sot e festojmë së bashku”, ka thënë Morina, raporton Telegrafi.
Më pas nxënësit e shkollave të mesme para të pranishmëve kanë shpalosur programin artistik. /Telegrafi/