Telegrafi

Beteja për kampionatin e sivjetë të futbollit në Maqedoni fillon me derbin Shkëndija-Vardari

Është hedhur shorti i kampionatit 2017/2018 të futbollit profesional të Maqedonisë, ku hapja e sezonës së sivjetme do të bëhet nga një përballje mjaft cilësore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Dy pretendentët për të fituar titullin e kësaj sezone, Shkëndija dhe Vardari do të takohen në javën e parë të sezonës së sivjetme futbollistike.

Kjo ndeshje do të luhet më 13 gusht, por ka gjasa që ndeshja të shtyhet për shkak të pjesëmarrjes së të dy ekipeve në kupat evropiane, respektivisht në kualifikimet për Champions League dhe Europa League.

Një lojë cilësore vlerësohet edhe ndeshja ndërmjet Pobedës dhe Pelisterit që do të luhet në Prilep.

Ekipi i ri i Ligës së parë, Adameia Pandev do të përballet me Shkupin në Çair, kurse Skopje do të takohet me Sileksin në Kratovë. Çifti i fundit që do të përballet në javën e parë të kësaj sezone është çifti Rabotniçki-Renova.

Përndryshe, sistemi i sivjetëm nuk do të ndryshojë, pra do të luhen gjithsej 36 javë futboll, sipas sistemit me katër rrethe./Telegrafi/