Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Taiboksi është një sport profesional që njihet dhe zbatohet nga boksierët e njohur. Pra, përveç boksit të mirëfilltë ai është më i përparuar në disa drejtime dhe kërkon përgatitje të lartë fizike. Plus vijnë shkelmat, bërrylat, gjunjët dhe përplasjet në tokë. Është sport shumë i veçantë dhe i bukur sepse ngaqë është i vështirë, kërkon shumë inteligjencë dhe disiplinë, kërkon guximin. Pastaj vjen Kikboksi, janë dy sporte, që gërshetojnë boksin profesional. Gjithë pjesët e trupit vihen në lëvizje prandaj dhe po bëhet gjithnjë e më popullor. Kikboksi është boksi profesional dhe shkelmat. Nuk përdoren gjunjët dhe bërrylat.
Z. Besim, Taiboksi si një sport shumë i veçantë, në Kosovë, nuk ka afirmim. Megjithatë ju keni kapërcyer kufijtë nacional dhe keni hyrë në këtë sport mjaft furishëm. Si rastisi kjo?
Taiboksi në Kosovë nuk është më i veçantë, madje është shumë i përhapur tek te rinjtë. Duhet të përmendi sidomos talentët nga Kosova, që ditë më parë, në Skotlandë, treguan se çfarë potenciali kanë. Elvis Gashi, talenti më i madh i kikboks dhe taiboks, në dy disiplina, mori medaljet e arta në kampionatin botëror. Edhe Ilir Canolli ka fituar të medaljen e artë. Sportistë në Kosovë ka mjaft, porse përkrahja nga institucionet dhe nga donatorët, mungon. Kjo është arsyeja, që shumica e këtyre sportistëve luftarakë, mundohen që karrierë të bëjnë në vendet tjera. Tahir Menxhiqi, është kampion botë në kikboks, lufton me flamur të Kosovës, jeton në Holandë, porse askush nuk e sponsoron. Kreshnik Rrustemi, poashtu i suksesshëm, punon si ‘security’ në një diskotekë. Nuri Seferi, lufton për Shqipërinë, është kampion Evrope në boksin profesionist WBO, është i gjashti në ranglistë botërore, për të financuar veten, punon në fundjavë në diskotekë. Edhe unë do ta kish afatin e këtyre sportistëve, sikurse nuk do merresha me biznes, prej nga financoj aktivitetet e mia.
Cili ishte reagimi i familjes suaj, pasi u thatë se do të merreni me sporte ekstreme?
Me sporte luftarake kam filluar të merrem pa dijeninë e familjes. Si fëmijë, e kam pasur idol, kushëririn tim, Naim kabashi, i cili u bë më vonë kampion bote në kikboks. Me vëllanë tim, Samiun, ushtonim boks nganjëherë në klube të ndryshme, por mua më pëlqente kikboksi, edhe pse isha më dembel, por korra sukseset e mia të para, u qetësova në jetën e përditshme dhe, pastaj kisha mirëkuptimin edhe nga prindërit e mi. Unë nuk kam pasur dilema, sepse unë pëlqeja këtë sport dhe e mendoja atë si një sport nga i cili nuk do ndahesha kurrë. Tani e quaj sport shumë të bukur dhe kam patur rezultate shumë të mira. Më ka bërë shumë krenar.
Na përshkruani rrugëtimin tuaj deri këtu ku jeni sot…
Në moshën 17 vjeçe, kam filluar stërvitjet e kikboksit seriozisht (më herët kam qenë dy vjet në ekip të notit edhe atletikë të lehtë). Vëllai im Samiu qe poashtu aktiv në boks dhe ai më dha mbështetjen më të madhe. Vetëm pas 9 muajve dola në një turne internacional gjerman ku arrita deri në finale, por aty u takova me trajnerin tim dhe natyrisht se këtë luftë nuk e zhvilluam për shkaqe të respektit. Por sukseset sa vinin dhe rriteshin sikur në Kontakt të lehtë por edhe në Fullkontakt dhe Kikboks me Lowkick, në të gjitha këto disiplina të kikboksit u bëra disa herë kampion i Gjermanisë. Një periudhë të rëndësishme e kalova me trajnerin Davut Sidal me të cilin arrita të fitoj titullin WKA të Evropës në vitin 1998 në Lituani. Pastaj titullin e nënkampionit WAKO të Botës në Itali. Në kikboksin amator fitova tituj të ndryshëm internacional, por e kam provuar edhe boksin amator ku dola kampion i Republikës sime "Schëäbischer Meister" në kategorinë – 79kg. Debutimin në Kikboksin profesionist e bëra poashtu me sukses, fitova titullin WKA të Gjermanisë në kategorinë -79kg dhe -83kg, pastaj edhe titullin WIKA në peshat -81kg.
Në vitin 2002 e kam ndërpre aktivitetin tim sportiv, kisha disa mosmarrëveshje me trajnerin tim të asaj kohe Davut Sidal, sepse nuk më dha mundësi për tituj më të mëdhenj në kikboksin profesionist. Kaluan afër 5 vite ku kishin ndodhur shumë gjëra të mira e të këqija në jetën time dhe dikur në vitin 2006 vendosa të rikthehem në ring.
Në mars të vitit 2007 përmes klubit të vëllezërve Kroat Steko, dola për herë të parë pas 5 viteve në ring, kisha arritur peshën 102 kg. Pas një kohe të shkurt më erdhi shansi të luftoj për titullin WKA të Evropës në peshat + 95kg, këtë e bëra me kënaqësi dhe atë titull e bëra timin.
Titullin e Evropës e kam mbrojtur dy herë dhe pastaj më 2008 fitova titullin WKA të botës në kategorinë -95kg kundër turkut Yahya Gülay me KnockOut, në raundin e katërt. Titullin e mbrojta 3 herë brenda vitit 2009.
Është dashur talent, ushtrime, imagjinatë dhe fat, por edhe një precizitet i duarve dhe këmbëve tuaja për të goditur kundërshtarët…
Talent duhet pasur, por më shumë disiplinë nëse do të arrish diçka, duhet lënë anash shumë gjëra.
Para disa kohësh, në Minhen të Gjermanisë, juve nuk iu nevojit shumë kohë për ta vënë në dysheme kampionin e Italisë, Luca Panto, pasi që mjaftoi një kombinim me duar “majtas-djathtas”, një veprim që e la të shkatërruar përtokë rivalin dhe që zgjoi në këmbë të pranishmit…
Atë natë u bëra kamion bote +95, kategoria super e rëndë, ndërsa tash në 4 dhjetor mbroj titullin e fituar me 25 shtator.
Krahas titullit të botës në kategorinë super të rëndë +95 kg, unë vazhdo të jem posedues i titullit të botës në kategorinë e rëndë -95 kg.
Si u bë që një shqiptar që një shqiptar të bëhet kampion i dyfishët i botës (WKA në kategorinë e rëndë) kur dihet se në botë ky sport është shumë i zhvilluar?
Na kemi shumë të talentuar, por në ekip nuk jemi. Vullneti dhe puna ka bërë që unë si shqiptar të luftoj për Gjermaninë, por flamurin kombëtar e kam gjithmonë mbas vetes, dhe në krah tatuazhin e përjetshëm me Skënderbeun.
Duket se vitrina juaj është stolisur me shumë trofe. Sa trofe keni arritur deri më tashti?
Kam fituar shumë trofe, të mos i numëroj. Jam shumë i lumtur me suksese te mia, të cilat i kam fituar me mund të madh.
Cilat emocione ju përshkruajnë në ring, kur ndiheni i rrethuar nga sportdashës, flamuj dhe zemra shqiptare, që ju inkurajojnë deri në fund?
Unë i kam tifozët më të mirë në tërë botën, gjithmonë më përkrahin me këngën ‘Besa besë’ që më nxit për të fituar. Janë të mrekullueshëm. Të pabesueshëm. Të vënë para përgjegjësisë dhe të mobilizojnë si të jesh hero. Do të ishte fatkeqësi t’i zhgënjeje. Emocionet janë të papërshkrueshme, nganjëherë nuk mund të përballem me to dhe përlotem.
A kërkon regjim, apo disiplinë të veçantë, ky sport i veçantë. Çfarë perspektive parashihni për këtë sport në Kosovë?
Pa disiplinë nuk funksionojnë sportet luftarake. Në Kosovë ka shumë talentë, por kushtet e bëjnë të veten, nuk investon shteti dhe as biznesmenët.
Thuhet se ky sport sjell shumë para. A është kjo e vërtetë?
Ne pionierët e këtij sporti, gjenerata ime dhe disa të tjerë, mundemi të jetojmë nga këto aktivitete, por meqenëse ky sport gjithnjë e më shumë po popullarizohet, besoj që për 5 deri në 10 vjet, pagesa do të jetë sikurse në boks. Sporti ynë, ende është sport i vërtetë, e jo komercial.
Si është interesimi i të rinjve në Gjermani, vend ky me shume talentë?
Tashti në Gjermani, interesimi i medieve për këtë sport është shumë i madh. Dy garat e fundit të sportistes nga klubi jonë, Christine Theiss, të transmetuara drejtpërdrejtë,në TV, i kanë përcjellur afërsisht 5 milion shikues.
Tash pritet që, edhe unë, në vitin e ardhshëm të dal në SAT1.
Si duket dita e një taibokseri? Cila është menyja e tij dhe sa orë ushtrime në ditë kërkon?
Para çdo gare përgatitem 8 javë, dy herë në ditë bëj stërvitje nga 3 orë, për gjashtë ditë, por kujdesem edhe për afarizmin e kompanisë sime.
A ka hile në këtë në sport, sepse janë në pyetje para të majme?
Edhe në këtë sport ka keqarbitrim dhe njëanshmëri. Por, ka hile, edhe sportet tjera.
Krahas sportit, keni edhe ndonjë pasion tjetër?
Krahas sportit, kam edhe shumë pasione tjera. Unë merrem me zhytje (vetëm aty ku ka peshkaqenë), merrem me skijim, snowboard, reisboard, gjuhem me parashutë, vizitoj shumë shtete të botës, më interesojnë kulturat e ndryshme. Shtazët i dua shumë, e kam hobi t’i fotografoj.
/Telegrafi/