Pas disa viteve me shpenzime enorme, Besa ka ndërruar strategji dhe në edicionin e ri do të luajë me futbollistë të rinj.
Klubi pejan ka vendosur ta ripërtrij ekipin dhe një gjë të tillë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.
Besa në këtë mënyrë i ka bërë thirrje të gjithë ish-lojtarëve të shkollës së Besës, të rikthehet në vatrën e tyre dhe t’i bashkohen projektit të Besës së re.
“KF Besa planifikon që në ciklin e ardhëshem pesë vjeqar që të përtërij ekipin dhe ti jap shansin dhe hapsirën talentëve të shkollës së futbollit dhe qytetit të Pejës.
Duke analizuar një cikel te kaluar prej katër viteve dhe investimeve enorme të bëra në sjelljen e futbollistëve të ndryshem nga mbarë Kosova, KF Besa erdhi në përfundim se duhet ndëruar strategjia për të ardhmen. Tani pasi jemi pjesë e futbollit ndërkombëtar dhe mundësit janë të shumta, ne vendosëm ti kthehemi punës që e ka karakterizuar KF Besën ndër vite, e ajo është nxjerrja e talentëve pejan në sipërfaqe.
Mos të harrojmë se nga klubi jonë kanë dal talentë dhe futbollist te spikatur në arenën ndërkombëtare si Fatos Beqiraj, Bernard Berisha e shumë e shumë talentë tjerë të spikatur. Andaj për të krijuar një ekip për të ardhmen ne në ciklin e ardhshem pesë vjeqar do të fokusohemi tek talentët nga shkolla e futbollit dhe gjeneratat e reja me potencial të madh që i ka qyteti i Pejës duke i kombinuar me disa lojtar aktual që janë nga shkolla e Besës dhe e kanë një përvojë të jashtëzakonshme.
Ftojmë të gjithë ish lojtarët e shkollës së Besës që kanë qenë të aktivizuar në klubet tjera të kthehën në vatren e tyre dhe ti bashkangjiten projektit të Besës së re”, thuhet në njoftimin për shtyp.