Site icon Telegrafi

Besa Gashi: Ende zyrtarisht e mbaj kurorën e Missit

Sebahate Shala

E thjeshtë, plot nur dhe mbi të gjitha – e mençur. Kështu mund ta përkufizosh, sapo fillon bisedën me të. Për bukurinë e falenderon Zotin, për mençurinë dhe vetëdijësimin – veten dhe familjen, të cilës i obligohet. Besa Gashi, Miss Kosova 2006 nuk është njëra nga ato misset, bukuria e të cilave, përfundon në momentin kur hapin gojën. Epo, është e kundërta!

Ajo përveç sharmit, e ka edhe inteligjencën. Këtë e ka dëshmuar edhe në studime, të cilat sapo i ka përfunduar. Besa ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në AAB – drejtimi Menaxhment, dhe ende pa e shijuar diplomimin, ka marrë një ftesë shumë të rëndësishme.

Brenda dhjetë ditësh, udhëtoj për në Gjermani. Kam ftesë prej një agjencie gjermane të modelimit – ata po kërkojnë një fytyrë të re dhe të pakonsumuar për publikun. Detajet do t’i publikoj, pasi të kthehem”, tha Besa në një bisedë për Lajm.

Përveç reklamimit të rregullt që bën për "Mini – Maxi Hipermarket", Besa bashkëpunon edhe me agjenci dhe kompani të ndryshme vendore, ndërsa është e vetmja modele që e ka prezantuar Kosovën si shtet në “Fashion TV”, përmes Agjencisë “Kosova Models”. Ajo ndërkaq, udhëheq edhe OJQ-në “Besa Gashi&Friends”, një organizatë humanitare që ndihmon njerëzit në nevojë.

Kemi realizuar tri projekte humanitare – një në dhjetor të vitit të kaluar me ‘SOS Kindedorf’, pastaj një në Drenicë, ku kemi ndihmuar njerëzit në nevojë, invalidët dhe familjet e dëshmorëve”.

Me gjithë punën që bën, Besa nuk është shumë mediale, meqë nuk i pëlqen të ekspozohet për gjithçka që bën. Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen së fundi, ndërkaq është prezenca e saj në aktivitete të karakterit të të drejtave të njeriut apo atyre që kanë qëllim – drejtësinë. Herën e fundit, ajo u paraqit në aktivitetin e një grupi të artistëve të Kosovës, të cilët vendosën sllogane dhe afishe para Gjykatës Supreme dhe EULEX-i, me kërkesë “Drejtësi për Çlirimtarët – Burim dhe Arsim Ramadani, Arben dhe Jeton Kiçina” si dhe në protestën e 30 marsit.

Kam arsye shumë të fortë për këtë. Këta djem, së pari i kam familje, pastaj kauza e tyre është e drejtë. Nëse nuk kemi mundësi tjera, atëherë të paktën moralisht mund t’i ndihmojmë. Po shohim çdo ditë se si shkelen të drejtat e njeriut në Kosovë, kurse njerëzit i kanë mbyllur veshët e sytë dhe nuk duan të shohin asgjë”.

Për këto aktivitete, Besa ka marrë mbështetje dhe përgëzime edhe nga kolegët, të cilët e shtyjnë të vazhdojë tutje, ndërsa vetë ka ndikuar tek kolegët që ta përkrahin këtë kauzë.

Ajo nuk do të ndalet me kaq. Do të fokusohet më shumë në aktivitete humanitare dhe të të drejtave të njeriut, si ambasadore e vullnetit të mirë, përveçë se ende mbetet Miss i Kosovës.

Ende në Kosovë nuk ka Miss me licencë. Pra ende e mbaj Kurorën e Missit të Kosovës, zyrtarisht. Kam folur me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, dhe ata më kanë thënë se të gjitha organizimet e viteve të fundit për Miss Kosova janë të palicencuara”. /Gazeta Lajm/

Exit mobile version