Lazio pësoi humbje sot 2-0 nga Sassuolo, në një ndeshje ku u kthye pas shumë kohësh titullar edhe portieri ynë Etrit Berisha.
Megjithatë, mediat italiane pas ndeshjes kanë qenë unanime: Berisha ishte më i miri në fushë për Lazion, duke e mbajtur në lojë deri në fund skuadrën kryeqytetase.
“Rrezikon në ndonjë dalje ajrore, por ka shumë më tepër aspekte pozitive në ndeshjen e tij: kufizon dëmet dhe shpëton disa herë portën, edhe pse mposhtet në fund”, shkruan “Eurosport”, duke i vënë notën 6.5 portierit shqiptar, ashtu si mbrojtësi Konko, një tjetër lojtar që shkëlqeu.
“Në një ndeshje të keqe për Lazion, e gjithë skuadra luajti dobët dhe detyrimisht më i miri është Berisha, i cili në pjesën e dytë kryen disa pritje të shkëlqyera, duke nisur nga një ndaj Berardit”, shkruan “Calciomercato.it”, që gjithashtu i vendos notën 6.5 portierit tonë, si asnjë lojtar tjetër i Lazios.
Edhe shumë ueb faqe të tjera italiane kanë vendosur të njëjtën notë, duke konfirmuar se të paktën Berisha është gjithnjë konstant dhe meriton të luajë më shumë.