Kalimi nga Anzhi te Terek Grozni për Bernard Berishën nuk është fundi, por vetëm fillimi i një rruge nëpër të cilën sulmuesi kosovar synon të shkojë larg.
“Mund të them se jam shumë i kënaqur me kontratën që kam nënshkruar, por ky është vetëm fillimi, një motiv për t’u përmirësuar edhe më shumë”.
“Po më shpërblehet puna dhe sakrifica që kam bërë për disa vite. Të them të drejtën, nuk e konsideroj kontratën më të rëndësishme të karrierës sime. Mendoj se ky është vetëm fillimi dhe në të ardhmen do të jem pjesë e një skuadre më të madhe. Por për ta arritur këtë objektiv, më duhet të punoj akoma më shumë”, u shpreh 25-vjeçari për “SuperSport”.
Tek ekipi çeçen, ish-futbollisti i Skënderbeut gjen dyshen shqiptare Balaj-Roshi, me të cilët do të përbëjë vijën e parë të sulmit.
“Balaj dhe Roshi janë miqtë e mi, dhe besoj se me ta do ta kem shumë më të lehtë përshtatjen. Unë kisha shumë oferta të tjera, por dëshiroja të isha në një ekip me ta. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”, nënvizoi lojtari nga Peja.
2016-a ishte një vit i suksesshëm për Berishën, i cili bëri dy hapa gjigantë në karrierë. Megjithatë, për lojtarin, fitorja më e madhe ishte pranimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtare të futbollit.
“Kosova nuk është më e izoluar si më parë, dhe për këtë ndihem mjaft i lumtur. Jemi munduar të paraqitemi sa më mirë, por të mos harrojmë se jemi në një grup shumë të fortë. Besoj se në 2017-n do të vijë fitorja e parë e Kosovës në këto eliminatore”, përfundoi Bernard Berisha.