Gjykimi për rastin e një videoje xhirimi me skena seksuale që u përdorë për shantazh ndaj Mathieu Valbuenas, ku përfshihet edhe Karim Benzema ka vazhduar të enjten.
Benzema nuk ka qenë i pranishëm në gjyq për “arsye profesionale” – siç thuhet nga ekipi i tij ligjor – por mund të dënohet me pesë vjet burg nëse shpallet fajtor.
Në episodin e fundit të seancës, një nga të pandehurit Mustapha Zouaoui, ka mohuar të ketë kërkuar ndonjëherë para nga Valbuena.
Zouaoui dhe i pandehuri tjetër Axel Angot akuzohen se po përpiqeshin ta shantazhonin Valbuenan – atëherë lojtar i Kombëtares së Francës – duke ia bërë publike një kasetë seksi që gjetën në telefonin e tij.
“Sinqerisht më vjen keq. Nuk është mirë ajo që bëra. Ti nuk e meriton të jesh këtu”, ishin fjalët e thënë nga Zouaoui ndaj Valbuenës.
Avokatët e Benzemas këmbëngulin se sulmuesi i Real Madridit është i pafajshëm.
“Ky rast ka pasur pasoja të mëdha që nga dita e parë. Klienti im është shprehur gjithmonë i pafajshëm”.
“Ai nuk ishte përfshirë drejtpërdrejt në asnjë nga diskutimet. Pozicioni i tij si i pandehur është i pashpjegueshëm”, ka thënë avokati Antoine Vey që mbron Benzeman. /Telegrafi/