Trajneri i Newcastle Unitedit, Rafael Benitez, raportohet se do të mbetet pjesë e këtij klubi edhe në sezonin e ardhshëm, pavarësisht nivelit të garave në të cilin do të luajë klubi.
Newcastle emëroi Benitezin si trajner në muajin mars si synim për të shpëtuar klubin nga rënia një rang më poshtë dhe Benitez kishte thënë se nuk dëshiron të luajë në rangun e dytë të garave në Angli, nëse Newcastle sivjet bie nga Liga Premier.
Megjithatë, sipas “The Telegraph”, 56-vjeçari ka ndërruar mendje dhe po konsideron qëndrimin në Angli edhe nëse Newcastle bie në “Championship”, transmeton koha.net.
Newcastle është në pozitën e 18-të me 34 pikë, pas 37 xhirosh të zhvilluara. Shpresa e vetme për mbijetesë për këtë klub është nëse Sunderlandi, që ka një ndeshje më pak dhe është i pozicionuar në pozitën e 17-të me 35 pikë, të mos fitojë më shumë se dy pikë në dy ndeshjet që i ka deri në fund dhe Newcastle të mposhtë Tottenhamin në xhiron e fundit.
Pas takimit të Newcastlet me Tottenhamin të dielën, pritet të publikohet vendimi i Benitezit.