Andrea Belotti është zyrtarizuar ditë më parë te Roma, si futbollist i lirë.
Sulmuesi italian kishte shumë oferta, por në fund zgjodhi Romën duke e pritur për shumë javë klubin kryeqytetas.
Tanimë italiani është prezantuar zyrtarisht te Roma ku ka zbuluar edhe se ka pritur gjatë për tu zyrtarizuar tek Giallorosët.
“Prioriteti im ishte të transferohesha te Roma sepse e dija që klubi ka një projekt të qartë. Drejtuesit dhe skuadra janë ambicioz. Unë nga ana tjetër, nuk kërkoja një kontratë që të më “përkëdhelte” apo të më mbronte, nuk mendoja kaq shumë”.
“Dija vetëm se Roma ishte prioriteti. Fizikisht jam mirë sepse jam stërvitur me një përgatitës atletik, megjithatë kam bërë vetëm disa seanca stërvitore me skuadrën dhe duhet të punojë ende për të kuptuar edhe idetë e trajnerit në fushë”, deklaroi Belotti.
Belotti tutje foli edhe për objektivat e Romës, duke mos dhënë shumë premtime, por duke thënë se qëllimi është të fitojnë ndeshje pas ndeshje.
“Do të jetë një sezon i çuditshëm me Botërorin në mes, të favorizuara janë skuadrat që kanë një organikë të zgjeruar. Objektivi i Romës është të fitojmë ndeshje pas ndeshje dhe më pas të shohim se çfarë pozicioni do të kemi. Por, nuk vendosim limite”, deklaroi Belotti.
Krejt në fund Belotti foli edhe për konkurrencën që ka me Paulo Dybalan dhe Tammy Abraham.
🎙️ La conferenza stampa di presentazione di Andrea Belotti #ASRoma | @gallobelotti https://t.co/M5RkQy8vat
— AS Roma (@OfficialASRoma) September 1, 2022
“Konkurrenca është thjesht një mundësi më shumë për t’u rritur, Abraham është një sulmues shumë i mirë dhe diçka e tillë më motivon të bëj më shumë në çdo stërvitje. Pastaj takimi me Dybalën ishte shumë i këndshëm, kemi folur për rrugët tona nga koha kur ishim pjesë e Palermos. Edhe pse në vijim shkuam në të njëjtin qytet, Torino, por me skuadra të ndryshme. Tani e kemi rigjetur njëri-tjetrin shumë më të rritur dhe të matur, te Palermo ishim fëmijë”, u shpreh Belotti. /Telegrafi/