Telegrafi

Belgjika mposht Kosovën me rezultat të thellë në konkurrencën e femrave

Kosova A në konkurrencën e femrave e ka pësuar humbjen e dytë në kualifikimet për Kampionatin Botërorit “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Vashat e Kosovës pësuan humbje nga Belgjika, në ndeshjen e raundit të tretë në Grupin F. Belget shënuan fitore të thellë, me rezultatin 7-0.

Tessa Wullaert shkëlqeu në këtë ndeshje me tre gola, dy shënoi Justine Vanhaevermaet, kurse nga një Janice Cayman dhe Tinne De Caigny.

Pas kësaj fitore, Belgjika është lidere e grupit me shtatë pikë, aq sa ka edhe Norvegjia e dyta.

Në pozitën e tretë renditet Polonia me pesë pikë, e katërta është Shqipëria me katër pikë, teksa Kosova është e pesta me vetëm një pikë.

Armenia pozicionohet e fundit me zero pikë. /Telegrafi/