Telegrafi

Belgjika kërkon një ‘fitues serik’, hap konkurs në internet për të gjetur trajnerin e ri

Federata e Futbollit të Belgjikës (RBFA) ka publikuar një njoftim pune për postin vakant të trajnerit pas largimit të Roberto Martinez në Kupën e Botës të këtij dimri.

Martinez, i cili pasoi Marc Wilmots si trajner i Belgjikës pas eliminimit të tyre në çerekfinale në Euro 2016, udhëhoqi ekipin drejt vendit të tretë në Kupën e Botës së vitit 2018, mes arritjeve të tjera.

Por katër vjet më vonë, belgët luftuan për të përmbushur etiketën e tyre të ‘Brezit të Artë’ në Katar. Në fakt, ata u eliminuan në fazën e grupeve dhe si rezultat, ish-trajneri i Evertonit konfirmoi largimin e tij.

“Kjo ishte ndeshja ime e fundit. Ishte emocionale siç mund ta imagjinoni. Vendimi u mor pak para Kupës së Botës. Unë gjithmonë punoj drejt projekteve afatgjata dhe ato duhet të vendosen paraprakisht”.

“Që nga viti 2018 kam pasur shumë mundësi të largohem për të marrë punë në nivel klubi. Gjithmonë kam dashur të jem besnik dhe ta përfundoj punën. Nuk jap dorëheqjen – është fundi i kontratës sime. Ky ishte gjithmonë plani”, ka thënë Martinez.

Pasi përfundoi mandatin e tij si trajner i kombëtares, Federata e Futbollit e Belgjikës tani është në kërkim të një “fituesi serik” me përvojë në menaxhimin e lojtarëve kryesorë.

Përveç kësaj, trajneri i ri i kombëtares do të duhet të di të fokusohet në krijimin e një grupi të ngushtë dhe si të integrojë lojtarët e rinj.

 

“Ai do duhet të jetë një ekspert taktik që mbështet zgjedhjet e tij me të dhëna, teknologji dhe parametra objektivë dhe mbështetet në ekspertizën dhe strukturën sportive të RBFA. Ai duhet të se si të fitojë trofe në garat kryesore”.

“Trajneri i ri i Kombëtares është një ambasador i futbollit belg, duke ndihmuar në promovimin e vlerave të RBFA dhe është në dispozicion me kohë të plotë”, thuhet në njoftimin e shpalljes së vendit të punës.

Aplikimet do pranohen deri më datë 10 janar të vitit 2023 në adresën e mëposhtme: headcoachreddevils@rbfa.be. /Telegrafi/