Përktheu nga anglishtja: Agron Shala
Kënga “Je crois entendre encore”, pjesë nga opera me tri akte “Les pecheurs de perles” (Peshkatarët e margaritarëve, 1863), e kompozitorit Georges Bizet, sipas libretit të shkruar nga Eugene Cormon dhe Michel Carre.
Fshehur nën kurorë palmash
më bëhet se ende e dëgjoj
zërin e saj kumbues e të butë
si një pëllumbeshë tek këndon
Oh natë magjepsëse
dalldi e pakufi
oh i bukuri kujtim
ëndërr e ëmbël, i çmenduri ngazëllim
Nën dritën e yjeve
më bëhet se ende e shoh
në puhinë e vakët të natës
velat si fillon t’i shtrojë
Oh natë magjepsëse
dalldi e pakufi
oh i bukuri kujtim
ëndërr e ëmbël, i çmenduri ngazëllim