Të hënën përpos Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ka qenë hapja solemne edhe e sallës së teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë.
Hapja solemne e sallës së teatrit u mirëprit sidomos nga trupa e aktorëve rezidentë të këtij teatri.
E në hapjen solemne ka filluar edhe edicioni i 14-të i festivalit tradicional të komedisë “Mittrix Fest”, shkruan Telegrafi.
Në këtë rast, aktori Fehmi Ferati u shpreh se teatri është vendi i emocionit dhe i gjithë piramidës kulturore.
“Kënaqësia është e madhe kur sheh teatër plot, ne qe kemi përjetuar vite me dy-tre rreshta publik të teatrit e kur mbushet plot, na mbushet zemra”, ka thënë Ferati.
Ferati ka thënë se shfaqjen e parë në skenën e këtij teatri e ka luajtur në vitin 1989 dhe prej atëherë situata në Mitrovicë ka qenë e tensionuar, por që brenda në teatër gjithëherë “e kanë gjetur qetësinë”.
“Andaj urojmë që një ditë kur ne jemi këtu brenda, të ketë paqe jashtë”, u shpreh ai.
Ndërsa për fillimin e festivalit “Mittrix Fest”, aktori ka shtuar se do të kënaqemi duke qeshur së bashku, derisa e ktheu situatën pak në humor duke thënë se është edicioni i parë dhe i vetëm që mbahet pa ujë.
“Për gjashtë ditë do të përcjellim shfaqje”, ka treguar ai.
Mbrëmë, në kuadër të këtij festivali u luajt shfaqja e teatrit të Mitrovicës “Një vrasje e vogël aksidentale”.
Sonte do të luhet shfaqja e teatrit shqiptar të Shkupit, “ADN”.
Më 04 dhjetor do të luhet shfaqja e teatrit AAB “Faruk Begolli”, “Qeni i Baskërvilëve”. Më 05 dhjetor do të jetë shfaqja e teatrit të Gjilanit, “Togeri nga Inishmori”. Më 06 dhjetor do të jetë shfaqja e teatrit “Petro Marko” në Vlorë, “Natën e mirë me burrin tim” dhe në natën përmbyllëse të festivalit do të jetë shfaqja “Ping-pong dhe dashuri” nga teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren.
Të gjitha këto shfaqje do të luhen në orën 19:00. /Telegrafi/