Site icon Telegrafi

Befasi – meshkujt janë më narcisoid se femrat

Shkencëtarët i përmblodhën të dhënat testuese psikologjike dhe të personalitetit nga rreth 31 vjet të hulumtimit të narcisizmit, duke konstatuar se rezultatet e meshkujve vazhdimisht i tejkalojnë femrat në artin e obsesionimit me veten.

Hulumtuesit mblodhën informacione nga 355 artikuj gazetash, anketash, disertacionesh dhe dorëshkrimesh, duke i nxjerrë dallimet gjinore në narcisizëm.

Autorët e vështrimit të ri gjithëpërfshirës e ndanë informacion rezultues në tri kategori, ose tri lloje të narcisizmit – vetinteresit ekstrem ndërsa lidhet me udhëheqjen dhe autoritetin, e deri tek madhështia dhe ekzibicionizmi dhe e drejta.

Boshllëku më i madh gjinor u gjet në kategorinë e së drejtës, që sugjeron se meshkujt kanë pak dyshime rreth shfrytëzimit të të tjerëve dhe ndihmës së tyre për avantazhet e privilegjit mashkullor.

“Narcisizmi është i lidhur me disfunksionet e ndryshme ndërpersonale, duke e përfshirë paaftësinë për t’i ruajtur marrëdhëniet e shëndetshme afatgjata, sjelljet joetike dhe agresionin”, tha autorja kryesore, Emily Grijalva, asistente në Shkollën e Menaxhimit të Buffalo, në një njoftim për shtyp.

“Në të njëjtën kohë narcisizmi thuhet se e rritë vetëbesimin, stabilitetin emocional dhe tendencën për të dalë udhëheqës,” shtoi Grijalva. “Duke i shqyrtuar dallimet gjinore në narcisizëm, ne mund t’i shpjegojmë pabarazitë gjinore në këto rezultate të rëndësishme.”

Hulumtuesit theksojnë se këto dallime në sjellje dhe personalitet nuk janë provë se njerëzit janë të predispozuar në mënyrë të natyrshme ndaj narcisizmit. Është e mundur që boshllëqet e tilla gjinore mund të shpjegohen me anë të stereotipave gjinore dhe pritjeve shoqërore.

“Individët kanë tendencë të vëzhgojnë dhe mësojnë role gjinore nga një moshë e re, dhe mund të përballen me reagim të ashpër për devijim nga pritjet e shoqërisë,” tha Grijalva. “Në veçanti, femrat shpesh marrin kritika të ashpra se janë agresive ose autoritare, gjë që krijon presion për femrat, më shumë se për meshkujt, për t’i shtypur sjelljet narcisoide.”

Hulumtimi i ri është publikuar në revistën Psychological Bulletin. /Telegrafi/

Exit mobile version