Bayern Munich ka vazhduar me fitore në Bundesliga duke e mposhtur edhe Darmstadtin me rezultat minimal 1-0.
Skuadra e Carlo Ancelottit ka fituar ndeshjen e javës së 32 të Bundesligas ndaj Darmstadtit, ku e kanë dominuar gjatë gjithë kohës.
Megjithatë, goli i vetëm në këtë ndeshje erdhi në minutën e 18 të ndeshjes më anë të mbrojtësit spanjoll, Juan Bernat.
Spanjolli bëri disa lëvizje të mira në zonë, ku i shënoi një gol të bukur portierit kundërshtar pas asistimit të Franck Ribery dhe pjesa e parë përfundoi me rezultat 1-0.
Edhe në pjesën e dytë, Bayerni ishin dominues duke rrezikuar disa herë seriozisht portën e Darmstadtit, por ishin mysafirët që patën rastin më të mirë.
Luhej minuta e 86 e ndeshjes kur u akordua një penallti në favor të tyre, por turku Hamit Altintop ishte i pasaktë, pasi portieri Starke ia priti penalltinë dhe Bayern Munich fitoi në fund me rezultat 1-0. /Telegrafi/