Franck Ribery ditë më parë ka qenë në restorantin e kuzhinierit të famshëm turk Nusret në Dubai.
Ylli francez kishte porositur një biftek me vlerë 1200 euro dhe kjo gjë nuk është pritur mirë nga fansat e futbollistit.
Ribery kishte marrë shumë fyerje të rënda nëpër rrjetet sociale, por edhe ai ia kishte kthyer në të njëjtën gjuhë.
Mesfushori i Bayern Munich në një postim në rrjetet sociale i kishte fyerë me nëna, motra e familje të gjithë komentuesit që e ofendonin atë.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic.
“Ribery u fye vazhdimisht, jo vetëm ai, por edhe bashkëshortja e tij shtatzënë, fëmijët e tij, nëna e tij që ishte operuar në spital”.
“Franck u përball me familjen e tij dhe rezistoi për shumë kohë. Edhe ai ka çdo të drejtë të reagojë, unë e mbështes lojtarin gjithashtu”, ka thënë Salihamidzic.
Drejtori sportiv i Bayernit është i vetëdijshëm se lojtari e ka tepruar në një moment dhe ai do të gjobitet nga klub.
“Fatkeqësisht Riberi në një pikë e teproi plotësisht. Ai ka përdorur fjalë të cilat ne si Bayern Munich nuk mund t’i pranojmë. Kam folur gjatë me të dhe i thashë që do të merrte një gjobë të rëndë dhe ai e pranoi këtë fakt”, përfundoi Salihamidzic.
Megjithatë Salihamidzic nuk pranoi të tregonte për gjobën që do t’i vihet futbollistit, mediat gjermane kanë raportuar se pritet të jetë një gjobë e rëndë financiare. /Telegrafi/