Bayern Munich ka vazhduar me fitore në Bundesliga.
Kampionët në fuqi kanë mposhtur në udhëtim Augsburgun me rezultat 3-1.
Që nga fillimi i ndeshjes, Bayerni ishte më i mirë se kundërshtari i tyre me të cilin u takua edhe në kuadër të Kupës së Gjermanisë të mërkurën.
Nuk vonoi shumë dhe presioni i Bayernit solli edhe golin e parë në këtë takim.
Ishte sulmuesi Robert Lewandowski që shënoi për 1-0 në minutën e 19-të pas asistimit nga Arjen Robben.
Vetëm një minutë më vonë, Lewandowski asistoi bukur te Robben i cili nga afërsia shënoi për 2-0.
Me epërsi prej dy golave Bayerni shkoi në pushim prej 15 minutave.
Me të filluar pjesa e dytë, sulmuesi polak, Robert Lewandowski shënoi edhe njëherë për 3-0.
Vendasit e ngushtuan epërsinë në 1-3 në minutën e 67-të kur shënoi koreani Koo.
Pas këtyre tri pikëve të marra, Bayerni vazhdon të mbetet në krye të tabelës me 23 pikë të grumbulluara pas nëntë javëve. /Telegrafi/