Bayern Munich ka luajtur baras me rezultat 3-3 në udhëtim ndaj Eintracht Frankfurtit në kuadër të javës së gjashtë në elitën e futbollit gjerman.
Michael Olise në minutën e dytë pati një rast të mirë shënimi, por që nuk ia doli të realizojë nga afërsia.
Mysafirët e gjetën golin në minutën e 15-të pas një aksioni të bukur kur Thomas Muller asistoi për Kim-Min Jae që realizoi për 1-0.
Frankfurti reagoi shpejtë duke arritur që të barazojë rezultatin në 1-1 në minutën e 22-të përmes Omar Marmoush i cili nuk i la asnjë mundësi Neuerit.
Ata ia dolën që ta përmbysin rezultatin duke realizuar me Hugo Ekitiken për 2-1 në minutën e 36-të i cili u asistua pikërisht nga Marmoush.
Bayerni sërish u rikthye në lojë duke barazuar rezultatin me anë të Dayot Upamecanos i cili nga afërsia realizoi me lehtësi për 2-2.
Në pjesën e dytë bavarezët e gjetën edhe golin e tretë me anë të Michael Olise (53’) që me një gjuajtje fantastike realizoi për 3-2.
Pak çaste pa përfunduar takimi në skenë doli sërish Marmoush i cili në minutën e 94-të shokoi Bayernin duke shënuar për rezultatin përfundimtar 3-3.
Me këtë barazim Bayerni shkon në kuotën e 14 pikëve aq sa ka edhe Leipzigu por që mban pozitën e parë në tabelë./Telegrafi/