Bayern Munich ka fituar me rezultat 3-1 në udhëtim ndaj Stuttgartit në kuadër të javës së 21-të në elitën e futbollit gjerman.
Vendasit patën një rast ideal për të kaluar në epërsi në minutën e gjashtë, por gjuajtjen e Josha Vagnoman e ndali për mrekulli Manuel Neuer.
Bavarezët po ashtu kishin mundësinë e artë për të kaluar në avantazh në minutën e 22-të, por Jamal Musiala gaboi përballë portierit.
Në minutën e 31-të, Stuttgarti iu afrua shumë golit duke arritur të godasin shtyllën e djathtë përmes Deniz Undav.
Më në fund pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, vendasit e gjetën golin në minutën e 34-të përmes Angelo Stiller i cili realizoi një gol të bukur për 1-0.
Teksa po i afroheshim momenteve të fundit të pjesës së parë, Bayern ia doli të barazojë shifrat në 1-1 përmes Michael Olise (45’) i cili nuk gaboi përballë portierit.
Golin e përmbysjes të besuarit e Vincent Kompany e gjetën në minutën e 64-të me Leon Goretzkan i cili shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes vendase për të realizuar për 2-1.
Për t’i shuar përfundimisht shpresat e Stuttgartit u përkujdes Kingsley Coman që në minutën e 90-të realizoi për 3-1.
Me këtë fitore Bayerni shkon në kuotën e 61 pikëve dhe vazhdon si lider në tabelë me 11 pikë më shumë se Leverkuseni që mban pozitën e dytë me 50 sosh, por me një ndeshje më pak të luajtur./Telegrafi/