Telegrafi

Bayern Munich lë pas krahëve Xabi Alonson, hap bisedimet paraprake me trajnerin e Ligës Premier

Që prej se u bë e ditur që Thomas Tuchel do të largohet nga Bayern Munich në fund të sezonit, drejtuesit e klubit gjerman filluan kërkimet për të gjetur trajnerin e ri.

Shumë emra u raportuan në media, ku më i përfoluri ishte Xabi Alonso i cili po bën mrekullinë këtë sezon me Bayer Leverkusenin dhe është në rrugën e duhur për të fituar Bundesligën.

Sidoqoftë, duket se bavarezët e kanë lënë pas krahëve opsionin e Xabi Alonsos, dhe tashmë kanë nisur bisedimet paraprake me trajnerin e njohur italian Roberto De Zerbi.

Sipas mediumit prestigjioz gjerman BILD, Bayerni ka shprehur gatishmërinë për të paguar klauzolën e De Zerbit prej 13 milionë eurosh.

Gazetari Christian Falk ka raportuar më herët gjatë muajit mars se drejtori i ri i Bayernit, Max Eberl, e sheh De Zerbin si një opsion ‘shumë interesant’.

Siç shton tutje raporti, Bayerni dëshiron që të arrijë një marrëveshje me trajnerin e ri më së largu deri në muajin maj, në mënyrë që të planifikohet me të afati kalimtar veror i transferimeve.

Teksa kanë mbetur mbrapa në garë në Bundesligë, fokusi kryesor i Bayernit tani do të jetë në Ligën e Kampionëve, aty ku do të përballen me Arsenalin në çerekfinale./Telegrafi/