Kryetari i Degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, kandidat për kryetar komune, ka premtuar asfaltimin e të gjitha rrugëve të fshatrave të Bashkësisë Lokale të Ujmirit, që përfshinë lokalitetet Shtaricë, Siqevë, Qabiq dhe Dobërdol të Klinës.
Në tubimin elektoral me anëtarë dhe simpatizantë në fshatin Ujmirë, Bashota po ashtu ka premtuar edhe ndërtimin e urës në lagjen “ Mustafa”, kanalizim dhe ujësjellës në ato vende ku mungon, rregullimin e terreneve sportive në shkolla e tjera.
Bashota ka shpalosur prograjin e tij për mandatin katër vjeçar ku parashihet realizimi i gjitha nevojave të këtyre lokaliteteve që janë prezantuar nga banorët gjatë takimeve parazgjedhore. Gjithashtu janë prezantuar edhe kandidatët për Kuvend të Komunës.
“Janë minore projektet e realizuara në ketë nëndege, që kapin vlerën mbi 2 milion euro, në krahasim me ato që do të realizohen në katër vjeçarin e ardhshëm të qeverisjes së PDK-së. Me fitoren e PDK-së, janë 4 vite inkurajuese për realizimin e projekteve që lidhen me interesin e qytetarit”, tha Bashota.
“Ajo që e bëri ndryshimin e madh në Kosovë dhe Klinë është ‘Forca e Ndryshimit’, është pra PDK-ja. Bashkërisht do të rrugëtojnë në rrugën e zhvillimit dhe ndërtimit të Klinës në zonën urbane dhe rurale”, tha Bashota, para anëtareve dhe simpatizantëve në Ujmirë të Klinës.