Befasia e sivjetme e Ligës Ballkanike, Bashkimi, nuk ka arritur të triumfojë kundër BC Levski Lukoil në finalen e kësaj gare që u zhvillua në Samokov të Bullgarisë (83-72).
Skuadra nga Kosova e nisi më mirë sfidën duke krijuar epërsi në çerekun e parë, të cilin e mbylli me tri pikë avantazh (15:18).
Mirëpo, në dhjetëminutëshin e dytë, Levski bëri një përmbysje (27:19) dhe shkoi në pushim me epërsi prej pesë pikësh (42-37).
Diferenca ishte vetëm një pikë në çerekun e tretë (21:22), mirëpo ekipi bullgar vazhdonte të kishte epërsinë.
Ndërsa në pjesëlojën e fundit, Levski luajti më mirë (20:13) dhe arriti ta fitonte ndeshjen me nëntë pikë epërsi (83-72).
Ky është triumfi i tretë i skuadrës bullgare në Ligën Ballkanike, pas fitoreve në vitin 2010 dhe në vitin 2014. Ndërsa në dy raste ka qenë finalist, në vitet 2012 dhe 2013.
Kujtojmë që Bashkimi i befasoi të gjithë duke u futur për herë të parë në ‘Final Four’, ndërsa në gjysmëfinale arriti ta mposhtte Rilski Sportistin (72-71).
Derisa në gjysmëfinalen tjetër Levski fitoi ndaj KK Blokotehna-NB (85-81) dhe në këtë mënyrë arriti në finale.
Derisa Levski Lukoil është kampioni sivjetmë dhe Bashkimi nënkampion i Ligës Ballkanike, në duelin për vendin e tretë, Rilski fitoi ndaj Blokotehnas me rezultat 92-79. /Telegrafi/