Telegrafi

Bashkimi pëson humbje në ndeshjen e parë në BIBL

Skuadra prizrenase, Bashkimi, në ndeshjen e parë të stinorit 2017/2018 në Ligën Ballkanike ka pësuar humbje nga Blokotehna me rezultat 93-71.

Ndeshja filloi me një seri prej 12-0 në favor të Blokotehnas, transmeton Borozani.

Epërsia e krijuar i kushtoi gjatë tërë ndeshjes Bashkimit, edhe pse çereku i dytë dhe i tretë ishin gati baras, por humbja ishte e pashmangshme për portokallezinjtë.

Adrian Motley u dallua më së shumti te Bashkimi me 20 pikë e 11 kërcime, ndërsa Samir Zekiqi me 14 pikë të tjera.

Në anën tjetër, Danilo Mijatovic shkëlqeu me 27 pikë e 5 kërcime, derisa u ndihmua edhe nga Dwayne Benjamin me 20 dhe Michael Mallory me 19 pikë.

Bashkimi ndeshjen e radhës do ta luajë kundër Tiranës më 25 tetor.