Telegrafi

Bashkimi para dy dueleve vendimtare

Skuadra e Bashkimit është para një misioni të vështirë sa i përket kualifikimit në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike.

Fitorja ndaj Teodos në udhëtim gjatë javës së shkuar ka mbajtur gjallë shpresat e Bashkimit që në edicionin debutues në BIBL të prekë fazën gjysmëfinale.

Në katër ndeshje të zhvilluara gjatë fazës së dytë, Bashkimi ka regjistruar një fitore dhe tri humbje dhe kështu zë vendin e fundit në Grupin C me pesë pikë të tubuara. Dy ndeshjet e fundit të kësaj faze, me Mornarin dhe Beroen, ekipi nga Prizreni i luan në palestrën “Sezai Surroi” dhe kjo i jep shpresë se mund të arrijë qëllimin.

Duelin e radhës Bashkimi e luan kundër Mornarit, të martën (sot, 19:00). Për të pasur avantazhin e dueleve të drejtpërdrejta, Bashkimi duhet ta mposhtë ekipin nga Mali i Zi me koshdallim prej 16 pikëve. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar me shifrat 78:63 në të mirë të Mornarit që së bashku me Beroen kanë nga gjashtë pikë dhe mbajnë pozitat dy dhe tre në grup. Lideri i këtij grupi është ekipi i Teodos me shtatë pikë të mbledhura, shkruan sot Koha Ditore

Megjithatë, opsioni më i mirë për Bashkimin është që t’i fitojë dy ndeshjet e fundit dhe pastaj të shpresoj që Beroe dhe Mornari të triumfojnë ndaj Teodos, në mënyrë që të plasohet në gjysmëfinale.