Të martën dhe të mërkurën dy skuadrat kosovare, Bashkimi nga Prizreni dhe Trepça nga Mitrovica do t’i zhvillojnë ndeshjet e radhës në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).
Kështu Bashkimi është mysafire e Teodo-s në Tivat të Malit të Zi në ndeshjen që do të luhet të martën me fillim nga ora 18:30 në kuadër të xhiros së pestë të Grupit A në BIBL.
Prizrenasit deri më tani i kanë zhvilluar tri ndeshje në Ligën Ballkanike dhe në të gjitha kanë regjistruar humbje, nga Kozuv-i, Kumanova dhe Beroe, derisa Teodo i ka realizuar 2 fitore e 1 humbje në edicionin e deritashëm të BIBL-it. Teodo e ka mposhtur Kozuv-in dhe Beroe-n, ndërsa është mundur nga Kumanova.
Ndërkohë Trepça të mërkurën është nikoqire e Sutjeska-s nga Nikshiqi i Malit të Zi në kuadër të xhiros së pestë të Grupit B.
Mitrovicasit kanë bilanc prej 2 humbje e 1 fitore në BIBL, ku janë mundur nga Tirana dhe Feni Industries, kurse kanë shënuar fitore kundër Karpos Sokoli-t. Sutjeska nga tri ndeshje ka po aq fitore të regjistruara në Grupin B. Ekipi malazez ka triumfuar ndaj Karpos Sokoli-t, Tiranës dhe Feni Industries.
Ballafaqimi ndërmjet Trepçës dhe Sutjeska-s do të luhet me fillim nga ora 19:00 në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë.
Ndërkaq dy skuadrat tjera kosovare që garojnë në Ligën Ballkanike, kampionia në fuqi, Sigal Prishtina dhe Peja duelet e tyre do t’i luajnë më vonë për shkak të angazhimeve në FIBA Europe Cup.