Partnerët jashtëmartesorë kanë të drejta dhe obligime të bashkëshortëve me kushtet e caktuara me ligj. Kjo do të thotë se nuk është me rëndësi a keni qëndruar bashkë me partnerin para ofiqarit apo jo?
Shkruan: Ardita Morina
Avokate
Bashkësia jashtëmartesore është bashkësi më e gjatë e jetës së femrës dhe mashkullit, ndërmjet të cilëve nuk ka pengesa martesore.
Nëse e kaloni jetën bashkë, ju keni njëfarë lloj obligimi ndaj njëri-tjetrit. Ai obligim ka domethënien që partnerët janë të barabartë dhe janë të obliguar që të respektojnë njëri-tjetrin.
Nëse vendosni që të ndaheni me partnerin jashtëmartesor, më së miri do të ishte vetë t’i ndani përgjegjësitë dhe pasurinë.
Bashkëjetesa, mënyrë bashkëkohore e jetës në çift
Partnerët bashkëjetues janë çifte, të cilët nuk janë gati për martesë ose që presin të martohen; që e shohin bashkëjetesën si alternativë aktuale.
Janë disa arsye që e shtyjnë që çiftet e reja apo edhe çiftet me moshë edhe më të vjetër të bëjnë një marrëveshje që të bashkëjetojnë së bashku.
Historikisht ky fenomen paraqitet për shkak të rrethanave të ndryshme, pra nuk varet vetëm nga dëshira e çifteve në kuptimin emocional, por edhe social dhe ekonomik.
Forma e tillë i ka përparësitë dhe mangësitë e saj. Përparësitë janë forma provuese martesore, e dyta është provim i mirëkuptimit dhe mundësia e njoftimit në mes çifteve për mënyrën e ardhme të ekzistencës së një jete të qëndrueshme të përbashkët.
Fenomeni i bashkësisë faktike (bashkësisë jashtëmartesore) sjell jo rrallë edhe fëmijë të paplanifikuar nga çiftet, por edhe ndarjen nga bashkëjetesa gjë që implikon rrethana ligjore, ndërsa sjell edhe pasoja emocionale e shëndetësore në kuptimin e shëndetit mental dhe organik.
Bashkësia faktike (bashkësisë jashtëmartesore) sa i përket pikëpamjeve religjioze janë të ndryshme varësisht nga religjioni lidhur me fenomenin e bashkësisë jashtëmartesore.
Në Kosovë, nuk kemi ndonjë ligj të veçantë për bashkësinë jashtëmartesore që rregullon këtë fushë, prandaj bashkësia jashtëmartesore mbetet koncept jetësor vullnetar.
Ligji i aplikueshëm i Familjes së Kosovës e përcakton Bashkësinë faktike (bashkësia jashtëmartesore) që
konsiderohet marrëdhënia faktike midis burrit dhe gruas që jetojnë në çifte, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.
Bashkësia faktike (bashkësia jashtëmartesore) është e barabartë me statusin martesor nga aspekti i të drejtave dhe detyrave për përkujdesje, mbështetje financiare reciproke dhe të drejtave pasurore, ashtu siç është specifikuar në Ligjin e Familjes së Kosovës.
Njerëzit konsiderohen se jetojnë në bashkësi faktike (bashkësi jashtëmartesore) nëse ata kanë të drejtë të martohen, por nuk kanë lidhur martesë ligjore; kanë bashkëjetuar haptazi sikur një çift bashkëshortorë.
Kësisoj, çiftet detyrohen ndaj njëri-tjetrit për respekt të njëjtë, mirëkuptim të dyanshëm dhe ndihmë sikur në bazë martesës ligjore.
Ndërsa sa i përket fëmijëve jashtëmartesorë, konsiderohen të gjithë ata fëmijë të cilët nuk lindin në martesë. Deklarimi i një personi se a e pranon atësinë e fëmijës që lindin jashtë martese bëhet para ofiqarit të autorizuar.
Kjo deklaratë mund të bëhet edhe para gjykatës para ndonjë organi me autorizim për përpilim të dokumenteve publike, para përfaqësuesve diplomatikë, por edhe me testament.
Pranimi i atësisë prodhon efekt juridik dhe regjistrohet në librat amë të lindurve vetëm nëse me njohjen e atësisë pajtohet nëna.
Nëse për ndonjë arsye nuk konstatohet atësia e një fëmije të lindur jashtëmartesor, pa intervenim të gjykatës, ligji lejon mundësinë që me padi të kërkohet vërtetimi i atësisë apo amësisë.
Padi për vërtetimin e atësisë përveç personit i cili e konsideron veten baba të fëmijës, të drejtë kanë edhe fëmija dhe nëna e fëmijës.
Nëse kemi të bëjmë me të drejtën e fëmijës të paraqet padi, ai mund të bëjë deri në moshën 25 vjeçare; nëse fëmija është i mitur apo nuk ka zotësi veprimi, padinë në emër të tij mund të parashtrojë nëna ose kujdestari i fëmijës.
Aktgjykimi me të cilën është vërtetuar atësia e një personi prodhon efekte juridike që nga momenti i plotfuqishmërisë. Pasi aktgjykimi ka karakter statusor, karakteri i tij është absolut dhe prodhon efekte ndaj çdokujt dhe që nga ai moment fëmija konsiderohet fëmijë martesorë.
Pasuria e fituar gjatë bashkësisë faktike (bashkësisë jashtëmartesorë) dhe e cila pasuri i nënshtrohet ndarjes ose pjesëtimit, konsiderohet pasuri e përbashkët.
Dispozitat e Ligjit të Familjes së Kosovës lidhur me ndarjen e pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve të një martese ligjërisht të regjistruar, zbatohen në mënyrë analoge për marrëdhëniet të personave në bashkësi faktike (bashkësi jashtëmartesore). /Telegrafi/