Aktiviteti i bashkëshortes e zhyt kandidatin republikan, Xhon MekKejn, në një konflikt të fortë interesash. Rrezik konflikti interesash në fushatën e Xhon MekKejn. Bashkëshortja e tij, Sindi, kontrollon Budweiser, një perandori prej 300 milionë dollarësh. Birra, deri këtu, i ka sjellë vetëm përfitime Sindit dhe Xhon MekKejnit, para, prestigj, ndikim. E themeluar nga babai i saj, Hensley and Co, është një prej shpërndarësve më të mëdhenj amerikanë të produkteve të "Anheuser-Busch", ndërmarrjes që veç të tjerash, fermenton Budweiser. Edhe pse nuk është e përfshirë në menaxhimin e përditshëm, një biznes prej 300 milionë dollarësh në vit, Sindi MekKejn, ka trashëguar kompaninë nga prindërit dhe është bërë presidente që nga viti 2000. Ajo zotëron më shumë se 1 milion aksione të Anheuser. Por, e gjithë kjo, rrezikon tani të shndërrohet në një dhimbje koke për kandidatin republikan për Shtëpinë e Bardhë. Dy konflikte, një interesi dhe tjetri me karakter politik, rëndojnë mbi fushatën e MekKejnit, që ka qenë deri më tani protagonist i një numri gafash dhe ka shënuar veç të tjerash një rënie në sondazhe, kundrejt Barak Obamës, në duelin për zgjedhjet e nëntorit. Të enjten e shkuar, bordi i "Anheuser-Busch", me seli në Misuri, ka refuzuar ofertën e blerjes, të bërë nga gjiganti belg InBev, prodhues i Stella Artois dhe Beck‘s, me çmimin 65 dollarë për aksion. "Jo"-ja për shitjen prej 46 miliardë dollarësh, është vlerësuar njëzëri nga senatorë dhe kongresmenë të shtetit, demokratë dhe republikanë, të shqetësuar se mos "Anheuser-Busch" do të pushojë së qeni një "kompani amerikane". Por, loja mbetet e hapur dhe ndërkohë, titulli është vlerësuar akoma më shumë në bursa. Hesht ndërkaq Sindi MekKejn, aksioniste e "Anheuser", punonjësit e të cilës, deri më tani, kanë dhuruar rreth 23 mijë dollarë për fushatën e bashkëshortit të saj. Por, aspirantja për Zonjë të Parë, është nën presion që të thotë mendimin e saj. Mision ky aspak i lehtë edhe për shkak të faktit se nëse do të shprehej në mbështetje të ofertës, (do të shiste aksionet, në interes të saj) do të rrezikonte të largonte bashkëshortin nga zgjedhësit e Misurit, që konsiderohet një shtet që i tregon të tjerëve ku të shkojnë dhe që në vitin 2000 dhe 2004 kishte zgjedhur kandidatin republikan. Nëse Sindi do të mbështeste "jo"-në e bordit, duke mbajtur aksionet e saj, atëherë do të kundërshtohej e gjithë retorika e të shoqit, duke e ekspozuar atë edhe një herë përballë akuzave për luhatshmëri, pra se ndryshon pozicione mbi tema thelbësore dhe sipas leverdisë së tij. Por, trashëgimia e zonjës MekKejn, është në perspektivë akoma më shpërthyese, në rast të një fitoreje të bashkëshortit, në nëntor. "Hensley & Co" është në fakt titullar i licencës federale për shpërndarjen e pijeve alkoolike. Për më tepër, prej vitesh është në luftë me grupet mbrojtëse, e për të kundërshtuar ata, paguan goxha lobistët në Uashington, duke përpunuar kongresmenët në mënyrë që të mos miratojnë ligje më kufizuese për konsumimin e alkoolit. Ndërmarrja për shembull kundërshton iniciativën e "Nënave kundër ngarjes në gjendje të dehur", që do të donin të fusnin në fuqi një ligj sipas të cilit edhe në shishet e birrës dhe verës duhet të tregohet përmbajtja alkoolike. Është kjo një temë kaq delikate, sa Xhon MekKejn, prej vitesh heziton të votojë apo të ndërhyjë në çfarëdolloj debati në lidhje me alkoolin. Por nëse do të zgjidhej në Shtëpinë e Bardhë, shumëkush do të fliste për një konflikt interesi të patolerueshëm. Mbi të gjitha nëse Sindi do të vazhdonte të drejtonte "Hensley & Co": "Nuk mund të drejtojë një kompani birre nga Shtëpia e Bardhë", ka thënë për "Los Angeles Times", Samuel Popkin, docent i shkencave politike në San Diego. Është e sikletshme". Askush nuk pret që nga studioja ovale, MekKejn të akordojë favore speciale për ndërmarrjet që prodhojnë apo shpërndajnë alkoole. Por, konflikti i interesit mund ta pengojë të ndërhyjë me energji mbi tema si alkoolizmi te të rinjtë. Ekipi i tij elektoral, thotë se asnjë vendim nuk do të merret deri pas zgjedhjeve. /Shqip/