Qeveria siriane duket se ka rënë pas një sulmi nga rebelët.
Presidenti Bashar al Assad u largua nga Damasku me një aeroplan për në një destinacion të panjohur, sipas dy oficerëve të lartë të ushtrisë siriane.
Komanda e ushtrisë së Sirisë tani ka njoftuar oficerët se sundimi i tij 24-vjeçar ka përfunduar.
Bëhet e ditur se disa orë më parë, rebelët thanë se kishin fituar kontrollin e plotë të qytetit kyç të Homsit pas vetëm një dite luftimesh.
Kryeministri i Sirisë tha se është i gatshëm t’ia dorëzojë qeverinë opozitës në një tranzicion paqësor, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Unë jam këtu në shtëpinë time”, tha Ghazi al Jalali.
“Unë nuk e kam lënë dhe nuk kam ndërmend të largohem, përveçse në mënyrë paqësore që garanton funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve publike dhe objekteve shtetërore, duke promovuar sigurinë dhe sigurinë për bashkëqytetarët tanë”, shtoi ai.
Ai tha se do të shkonte në zyrën e tij për të vazhduar punën në mëngjes dhe u bëri thirrje qytetarëve sirianë që të mos dëmtojnë pronën publike.
Por, nuk komentoi mbi ikjen e al-Assadit.
Menjëherë pas kësaj, rebelët njoftuan se ishte e ndaluar të shkonin pranë institucioneve publike që do të mbeten nën mbikëqyrjen e “ish-kryeministrit”.
Tani, ata pritet të transmetojnë deklaratën e tyre të parë për popullin sirian në televizionin shtetëror. /Telegrafi/