Pak ditë pas zyrtarizimit tek skuadra e Barit, Migjen Basha shprehet se shkak për vonesën e kalimit në klubin e Serisë B u bë dokumentacioni.
Mesfushori i kuqezinjve tha në një konferencë për mediat italiane se kishte gjetur marrëveshjen me klubin pak javë më parë, por zyrtarizimi u bë të premten e kaluar.
“Dy të diela më parë kundër Kozencës isha këtu për të parë ndeshjen, por marrëveshjen e kisha gjetur një javë më parë. Më pas shërbeu koha e nevojshme për kalimin e dokumentacionit dhe transferimi u vonua pak.
Dy javë më parë janë bërë vizitat mjekësore, por gjithçka u vendos të premten që shkoi. Forma fizike? Nuk jam në nivelin e pjesës tjetër të skuadrës, por jam mirë gjithsesi. Këtë javë kam punuar shumë”,-ka thënë Basha sipas portalit “barinelpallone.it”.
Mesfushori shqiptar theksoi se njihet edhe me trajnerin Stelone. “E njihja më parë, por si lojtar në kohët e Frozinones. Si trajner nuk ka ndryshuar shumë”, ka thënë ai.