Stërvitja me ekipin e parë të Atletiko Madrid me rregullsi duket se ka ndihmuar Keidi Baren që të kthehet në liderin e ekipit të dytë të skuadrës spanjolle, pjesë e të cilës është prej vitesh.
Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka qenë pak ditë më parë protagonist i ngjitjes së Atletiko Madrid B në Segunda B, ajo që është kategoria e tretë në futbollin spanjoll.
Skuadra madrilene luante kualifikuesen kundër Gimnastika de Torrelavega, duke u treguar dominuese pasi fitoi 1-0 ndeshjen e parë, ndërsa 2-0 takimin e dytë.
Në këtë të fundit, Bare ishte protagonist, duke shënuar golin e avantazhit për skuadrën e tij, në minutën e 55 të ndeshjes.
Bare mund të rrijë të luajë në sezonin e ardhshëm në ekipin e dytë, duke pritur mundësinë e tij. Por sipas mediave spanjolle, futbollisti i përfaqësueses U-21 të Shqipërisë, është një kandidat për t’iu bashkuar përfundimisht skuadrës së parë të Atletiko Madrid, që nga momenti kur kësaj të fundit iu bllokua mundësia për të blerë lojtarë në merkaton e verës.
Sipas “El Mundo” apo televizionit “RTVE”, Bare është në listën e lojtarëve të akademisë që mund të cilësohen si përforcime që mund të aktivizojë Simeone në pjesën e parë të sezonit, ku do të bëhet më shumë rotacion për të ruajtur futbollistët, në pritje të rihapjes së merkatos gjatë janarit.