Qytetarët e Fushë Kosovës, saktësisht të rrugës “Dardania”, janë duke u ankuar për mungesë të energjisë elektrike, ata thonë se nuk kanë rrymë për më shumë se 12 orë.
Duke marrë parasysh edhe temperaturat e larta, banorët e asaj zone thonë se e kanë të vështirë të jenë pa rrymë.
Mentor Krasniqi, banor në Fushë Kosovë, në një deklaratë Telegrafin ka pohuar se tash e 12 orë janë duke telefonuar KEDS-in për të ditur arsyen e ndaljes së rrymës.
“Që 12 orë, prej mbrëmë në 21:30 u ndalë, ende nuk ka. Kemi kërkuar ndihmë i kemi thirrë KEDS-in, ata po thonë që ka prishje dhe se janë duke e rregulluar, dhe se pritet me ardhë shpejt. Që 12 orë nuk ka rrymë”, u shpreh ai.
Veç kësaj ai shtoi se ka kohë që nuk janë përballur me probleme të energjisë elektrike..
“Më herët nuk ka ndodhë, bukur moti nuk ka ndodhë që të mos kemi rrymë”, tha Krasniqi.
Ndryshe, qytetarët nuk u njoftuan për këtë ndalesë të rrymës e cila zgjati mbi 12 orë, as nga Komuna e Fushë Kosovës dhe as nga KEDS.
Lidhur me rastin, Telegrafi ka tentuar të marrë një përgjigje nga komuna, por që ata ishin të paqasshëm. /Telegrafi/