Telegrafi

Banorët e Vitisë parashtrojnë kërkesat e tyre – Komuna ndanë 4 milionë euro për investime kapitale

Komuna e Vitisë ka përmbyllur takimet për planifikimin e buxhetit komunal, ku nga takimi i fundit banorët e fshatit Sadovinë e Jerlive kanë parashtruar kërkesat e tyre për realizim.

Gjatë këtij takimi, banorët kërkuan rregullimin e kanalizimit, pasi sipas tyre një pjesë e kanalizimit të fshatit Begracë rrjedhë në këtë fshat. Ata, kërkuan gjithashtu të ndërtohet trotuari Sadovinë e Jerlive dhe Remnik i Ri si dhe kërkuan të rregullohet rruga bujqësore në lagjen Avdyli.

Në këtë takim, pati banorë edhe nga fshati Vërban, të cilët kërkuan rregullimin e hapësirës së brendshme të shkollës së fshatit, vendosjen e rrethojave në oborrin e shkollës, rregullimin e kulmit të shkollës si dhe kërkuan vendosjen e ndriçimit publik në disa pjesë të rrugës Vërban- Sadovinë.

Në vazhdën e takimeve, komuna ka mbajtur diskutim publik edhe me gratë vitiase, të cilat radhitën një sërë kërkesash.

Ato kërkuan të ndahet shuma financiare për gratë lehona, të bëhet blerja dhe funksionalizimi i një mamografie, të bëhet pagesa e qirasë për viktimat e dhunës në familje, të sigurohet transporti public në vendet rurale.

Gjithashtu, gratë nga Vitia kërkuan që të bëhet subvencionimi i pagesave në çerdhet private për nënat vetë ushqyes, të ngritet niveli i sigurisë në Qendrën për Punë Sociale në Viti, të mbështetën financiarisht familjet e viktimave të dhunës, të bëhet rifunksionalizimi i stadeve për gratë fermere, të rregullohen hapësirat e pritjes në lokalitetet e komunës për transport publik si dhe të ndahen bursat për nxënëset të cilat regjistrohen në drejtime teknike që kryesisht dominohet nga djemtë.

Ndërsa, zëvendëskryetari, Hasan Aliu, tha se Komuna e Vitisë përmes këtyre takime po merr kërkesat nga qytetarët dhe grupet e ndryshme të interesit dhe do t’i shkojnë mundësitë buxhetore të përfshirjes së tyre në draft buxhetin komunal që do të shkoj për procedim në Kuvendin komunal të Vitisë.

Ndërkaq, Milihate Ajeti, drejtoresh për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim i falënderoj të pranishmit për pjesëmarrjen masive në këtë takim duke potencuar se për vitin në vijim buxheti për investime kapitale do të jetë 4 milionë euro dhe atë për gjithë territorin e komunës së Vitisë. /Telegrafi/