Site icon Telegrafi

Banorët e Shipitullës protestojnë, KEK pret zhvendosje të qetë (Video)

Banorët e fshatit Shipitullë të Komunës së Obiliqit kanë protestuar sot për shkak të mos plotësimit të kërkesave të tyre për shpronësim. Ata kanë kërkuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që t’i ndalë ekskavatorët pasi që ndjehen të rrezikuar nga ta.

Saim Krasniqi, përfaqësues i banorëve të fshatit Shipitullë tha se është shkelur vija e rrezikshmërisë që është e ndaluar dhe KEK, sipas tij, nuk ka të drejtë të afrohet më shumë se 200 metra. Ai po ashtu shtoi se kërkesat e tyre mbesin te njëjtat që nga fillimi i këtij procesi.

‘Punësimi nga një anëtari i familjes në ato familje ku ka nevojë dhe ku i merret vendi i punës, të vlerësohet metri katror sipas kornizës për politikat e zhvendosjes që e thotë çmimi i tregut për metër katror”, tha Krasniqi.

Kërkesa tjetër e banorëve, sipas përfaqësuesit të tyre, është edhe trajtimi i banorëve të përhershëm të Shipitullës.

Por, zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, tha se kjo kompani është në pritje të përfundimit të procedurave dhe afateve ligjore pas marrjes së vendimit nga Qeveria e Kosovës për t’i aktivizuar mekanizmin e heqjes së djerrinës. Sipas tij, deri sot KEK-u ka arritur mbi 20 marrëveshje, edhe është në pritje edhe të një numri të konsideruar të marrëveshjeve për këto dite, pasi që thotë se ka reflektim pozitiv nga banorët e afektuar. /kallxo.com/

Exit mobile version