Telegrafi

Banorët e Shalës së Lipjanit të rrezikuar nga kabllot e energjisë elektrike

Banorë të fshatit Shalë të Komunës së Lipjanit po ankohen se tash e disa muaj që nga vendosja e shtyllave të betonit për energji elektrike, sistemi i kabllove ka mbetur mbi sipërfaqen e tokës. Banorët janë ankuar se institucionet përkatëse nuk e kanë kryer punën siç duhet, andaj kanë deklaruar se disa herë kanë kërkuar që të mbulohen kabllot por deri më tash nuk kanë marrë përgjigje.

Banorët janë ankuar se më së shumti po rrezikohen fëmijët gjatë vajtje ardhje nga shkolla.

Safet Emini, banor i këtij fshati ka thënë se disa herë ka kërkuar nga KEDS dhe KESSCO por nuk ka marrë përgjigje lidhur me kabllot të cilat kanë mbetur mbi sipërfaqen e tokes/

“Shtyllat janë vendosur tash e 4 muaj, por ndërkohë kur e kanë lidhur sistemin e kabllove, ato i kanë lënë mbi tokë dhe po na rrezikojnë të gjithëve. Sidomos fëmijët më së shumti po rrezikohen derisa po shkojnë në shkollë sepse shtyllat janë të vendosura shumë afër rrugës. Kërkojmë nga KEDS-i e KESSCO si institucione që merren me menaxhimin e energjisë elektrike, të dalin në terren dhe ta shikojnë gjendjen sepse mund të pëson dikush nga energjia”, ka thënë Emini.

Emini ka shtuar se të gjithë janë taksapagues të rregullt të energjisë, prandaj kërkojnë cilësi dhe siguri lidhur me këtë çështje.

Në anën tjetër Lulzim Krasniqi, zëdhënës i KEDS-it, nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka thënë se kontraktori i punimeve në lokacionin në fjalë është njoftuar për këtë dhe është angazhuar menjëherë për mbulimin e këtyre kabllove.

“Me këtë rast kemi të bëjmë me kabllot e kyçeve nëntokësore që dalin në shtyllë, për çka është filluar me përgatitjen e korrurave për mbulimin e tyre. KEDS falënderon mediat dhe qytetarët për raportime të tilla ose të ngjashme, të cilave raste u jep prioritet, meqë siguria e përbashkët është e qenësishme”, ka thenë Krasniqi./ Telegrafi/