Në shënim dhe në përkujtim të ditës së dëshmorëve të rënë në fshatin Rogovë, në Qendrën Kryesore të Mjeksisë Familjare të kësaj zone, gjatë ditës së sotme është bërë dhurimi i gjakut, aktivitet ky që sipas organizatorëve nderon të kaluarën e popullit tonë.
Nuhi Berisha, pjesëtar i këshillit të fshatit Rogovë, si dhe përfaqësues i organizatës së OVL-UÇK-së në Rogovë, tha se është kënaqësi që është nder dhe kënaqësi që të dhurojnë gjak, ku përmes këtij akti simbolik, bëhet nderimi i dëshmorëve të kombit.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Adelina Shehu, e cila u shpreh se dhurimi i gjakut është një akt human.
Në mesin e atyre që dhuruan gjak ishte edhe drejtori i QKMF-së në Rogovë, Ali Sadiku, i cili u shpreh se kjo nismë për dhurimin e gjakut në shënim të ditës së dëshmorëve të kësaj zone ka tash e disa vite që ka filluar ku tashmë është shëndrruar edhe në traditë, duke shtuar tutje që ky është viti i 7-të që organizohet ky aktivitet në këtë qendër shëndetësore.
Tutje bëhet e ditur që edhe vullnetarët e tjerë të pranishëm në këtë aktivitet, e vlerësuan si tejet të rëndësishëm këtë akt të solidaritetit i cili sipas tyre shënon një lidhje të veçantë mes të kaluarës dhe të së ardhmes. /Telegrafi/