Site icon Telegrafi

Banorët e Rekës së Keqe në hall me rrjetin e stërvjetruar elektrik

Shtyllat elektrike të vendosura mbi 50 vjet më parë kanë bërë që tensioni i energjisë elektrike të jetë shumë i dobët, prandaj si i tillë çdo vit është duke paraqitur problem për shumë lagje në rajonin e Rekës së Keqe të komunës së Gjakovës.

Ali Qaushi nga lagja Kallavaji në Dobrosh thotë se dëmet e shkaktuara nga ky rrjet i stërvjetruar janë shumë të mëdha, sidomos në pajisjet e amvisërisë.

“Prej 74-tës këtu rrallë ndonjë shtyllë është ndërruar. Posa të fryn një erë këta bien përtokë. Zoti inshalla e edhe ata na ndihmojnë. Më së shumti dëmtohen këto gjësendet që janë me rrymë, e besa mundet me djeg krejt kur po bienëtelat në tokë, e mbyt edhe njeriun. Tetë shtylla këtu kanë qenë të rrëzuara”, tha Ali Qaushi.

Edhe Xhavit Selmani i tha RTK-së se gjendja është e vështirë. “Kjo linje është përmbi 60 shtylla. Kjo gjendje është për 60 shtëpi. Prishje ka çdo ditë; televiziori, makina e larjes e enëve, korrektoret. çdo 10 ditë duhet me shku me i rregullu ka 10 – 30 euro. Si të frynë veç kur kërcet”, tha ai.

“Sidomos gjendja vështirësohet kur ka rrebeshe shiu, dmth kur keqësohet moti sepse telat bashkohen dhe beso nuk mund të dalim prej shtëpisë. Mundet m’u djegë shtëpia krejt. Ndoshta po bëhet pak e tepërt por kjo gjendje është e patolerueshme. Rrezikon fëmijët rrezikon kafshët”, tha Hysen Idrizaj.

Zyrtarët e KEDS-it, në një përgjigje me shkrim, thanë se në lagjen “Kallavaj” në Dobrosh është trashëguar një rrjet i vjetër energjetik, megjithatë, sipas tyre, ekipet e KEDS-it kanë intervenuar disa herë në zëvendësimin e shtyllave dhe përçuesve elektrikë, duke e përforcuar rrjetin dhe shmangur rrezikun.

Zyrtarët kanë premtuar se ekipet e tyre do të dalin në lagjen në fjalë për të vlerësuar gjendjen e rrjetit elektrik dhe do të veprojnë sipas nevojës.

Exit mobile version