Pompat e dikurshme të ujit duket se po rikthehen në përdorim. Kështu disa familje të fshatit Qyshk në Pejë janë detyruar që për shkak të reduktimeve të stërgjatura me ujin e pijes, gjatë ditëve kur temperaturat janë mbi 30 gradë celsius, të instalojnë këtë sistem për ta siguruar atë.
Qytetarët e asaj pjese kanë thënë se pjesa më e madhe e ditës sipas tyre kalon pa furnizim me ujë të pijes dhe janë të detyruar të gjejnë mënyra alternative.
“Për shkak të mungesës së ujit, nga ora 07:00 e mëngjesit e deri në orët e vona, dikund deri në 21, ose 21:30 nuk ka ujë, prandaj jemi detyru me shti një gyp, për me marr ujë nga toka, përmes pompës së dorës, ose manuale për ujë dhe me e lidhë me hidrofor, pas disa ditëve, se na duhet me prit mu filtru uji”, ka thënë një qytetar nga fshati Qyshk për Peja në Fokus transmeton Telegrafi.
Ndryshe, siç është paralajmëruar, ndërmarrja ‘Hidrodrini’ është duke i aplikuar reduktimet me ujin e pijes, e që sipas tyre kjo rezulton si pasojë e keqpërdorimeve, për çka inspektimet janë duke u kryer kohë pas kohe.