Qindra banor në rrugën “Isak Sadiku” në qytetin e Ferizajt po vazhdojnë të kërkojnë asfaltimin e rrugës, me arsyetime se gropat po ua vështirësojnë qarkullimin. Sipas banorëve, në këtë lagje tashmë po ndërtohen edhe banesa kolektive, ndërkohë asfaltimi i rrugës është i domosdoshëm. Qytetarët rreth kësaj çështje kanë dërguar fotografi për gjendjen e kësaj rruge dhe janë ankuar edhe në platformën ndreqe.com.
Në komunën e Ferizajt, kanë thënë se ky projekt dhe shumë të tjera janë në listën e investimeve kapitale.
Telegrafi ka kontaktuar me njërin prej banorëve të kësaj lagjeje, Izjadin Krasniqi, i cili ka thënë se asfaltimi i kësaj rruge është i domosdoshëm.
“Nga banorët e kësaj lagjeje është ngritur si shqetësim edhe në dëgjime buxhetore të komunës për hartimin e projekteve kapitale, por nuk e di pse nuk po asfaltohet. Ndoshta mund të ketë ndonjë kontest pronësor apo mungesa e buxhetit të komunës”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Meriton Hajdini, drejtor për Infrastrukturë në Komunën e Ferizajt , ka thënë për Telegrafin se të gjitha rrugët dhe rrugicat, brenda dhe në periferi të qytetit do të asfaltohen pasi që shumica prej tyre tashmë janë në listë për investime.
“Saktësisht ndoshta nuk po më kujtohet se për cilën rrugë bëhet fjalë, por e di se në atë zonë janë në listë të investimeve po thuajse të gjitha rrugicat. Sidoqoftë i ftojmë ata banor le të vijnë dhe le të parashtrojnë ankesë të specifikuar sepse aktualisht nuk kemi ndonjë ankesë zyrtare. Sidoqoftë shumë rrugë e rrugica janë në listë për asfaltim për të ardhmen”, ka thënë Hajdini. /Telegrafi/