Banorë të lagjes “Besnik Osmani” në qytetin e Ferizajt prej kohësh po kërkojnë asfaltimin e rrugës kryesore në të cilën jetojnë qindra banor në disa objekte banesore. Sipas banorëve kërkesat e tyre janë deponuar me kohë në Komunë por nuk kanë marrë përgjigje.
Rreth kësaj çështje banorët janë ankuar edhe përmes platformës Ndreqe.com.
Në komunën e Ferizajt kanë thënë se edhe ky projekt do të realizohet në të ardhmen e afërt pasi që gjatë vitit 2024 kanë pasur telashe financiare derisa përmbaruesi ua kishte marrë një pjesë të buxhetit nga projektet kapitale
Besim Ahmeti, banor në këtë lagje , ka thënë për telegrafin se po përballen me mungesë të asfaltit.
“Gropat po e vështirësojnë qarkullimin dhe jetesën sepse të jetosh në një rrugë me gropa qenka mjaftë e vështirë, por shpresojmë që komuna ta asfalton këtë pjesë të rrugës. Me telashe po përballen edhe fëmijët derisa po vijnë dhe shkojnë në shkollë sepse rruga me gropa e me baltë po paraqet telashe të mëdha”, ka thënë ai.
Meriton Hajdini, drejtor për Infrastrukturë në Komunën e Ferizajt në një intervistë për telegrafin ka thënë se kjo rrugë përfshirë edhe disa të tjera janë në projeksionet e komunës për të ardhmen.
“Gjatë këtij viti jemi përballur me telashe financiare sepse një pjesë e buxhetit mbi një milion euro janë marrë nga përmbaruesit vetëm prej drejtorisë së infrastrukturës. Kjo e ka ngadalësuar realizimin e disa projekteve kapitale, mirëpo ato do të vazhdojnë gjatë vitit të ardhshëm”, ka thënë Hajdini. /Telegrafi/.