Banorët e fshatit Hoçë e Qytetit, të martën, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me çmimin e caktuar për shpronësimin e tokave të tyre që kalojnë nëpër trasenë e rrugës Prizren-Tetovë. Përmes protestës ata kanë kërkuar ndalimin e punimeve në pronat e tyre, deri në adresimin e ankesave të paraqitura lidhur me këtë çështje.
Ata kanë theksuar se nuk janë kundër ndërtimit të rrugës në fjalë, por se nuk pajtohen me vlerësimin e bërë nga Qeveria e Kosovës për shpronësim, raporton Telegrafi.
Arif Krasniqi, njëri nga pronarët e tokave, ka theksuar se nuk janë të kënaqur me çmimin e ofruar për shpronësimin e tokave.
“Shumica e pronarëve nuk janë të njoftuar me çmimin, me të gjitha këto. Sa i përket çmimeve, e kam një pronë këtu është toka e klasës së parë, tokë me vlerë për ndërtim. Edhe unë, edhe shumë bashkëfshatarë tjerë nuk janë të kënaqur me çmimin”, ka thënë ai.
Rasim Krasniqi ka theksuar se nuk janë të kënaqur me mënyrën e zhvillimit të punimeve nga punëmarrësi, pasi ende nuk është finalizuar shpronësimi.
“Ka ardhur pa u realizuar e drejta e shpronësimit. Ne kemi të drejtë të japim nënshkrimin nëse jemi të pajtimit për ta dhënë tokën për rrugën. Nuk jemi kundër rrugës, jemi kundër çmimit”, është shprehur ai.
Ngjashëm është shprehur edhe Hidaim Berisha. “Ku është dokumenti që janë shpronësuar arat. Mua nuk më kanë ardhur dokumentet. Gjysmës së katundit nuk ju kanë ardhur dokumentet. Le të vijnë dokumentet, le ta qelin rrugën. Ne shtetin s’mund ta ndalim, ta merr edhe shtëpinë, por duhet me ju kujtua me i vendos vijat, me i pas shpronësimet me dokument. Krejt në gjyq i kemi shpronësimet. S’kemi ende vendim pozitiv apo negativ. Faktikisht punimet po zhvillohen në të zezë”, ka deklaruar ai.
Protestuesit, lidhur me këtë çështje, gjatë ditës, kanë diskutuar me njërin prej zyrtarëve të MMPHI-së. Me këtë rast prej tij janë njoftuar se punimet duhet të vazhdojnë pavarësisht pakënaqësive të shprehura, meqë ashtu e parasheh ligji në fuqi, raporton Telegrafi.
“Me zyrtarin e ministrisë biseduam rreth shpronësimit. Sipas tij është marrë vendim që tokat të shpronësohen me atë çmim që është caktuar nga Qeveria e Kosovës. Por ne i treguam zyrtarit që fshatarët nuk janë të kënaqur me këto çmime. Kështu që kemi bërë ankesë dhe derisa të kthehet ankesa e çdo fshatari, kërkesa jonë është që të ndalohen punimet. Ndërsa zyrtari tha se punimet do të vazhdojnë, sepse është kompetencë e Qeverisë dhe ju ndërkohë brenda një ose dy vitesh do të paguheni”, ka bërë të ditur Arif Krasniqi.
Projektin për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, që përfshinë njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetrën në afërsi të fshatit Struzhë, MMPHI e ka tenderuar në muajin prill të këtij viti në 3 llote. Në llotin 1 dhe llotin 3, punimet kanë filluar një javë më parë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti. Vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi mbi 20 km. /Telegrafi/