Banorë të disa lokaliteteve në komunën e Lipjanit po vazhdojnë të ankohen se po rrezikohen nga vjetërsia e shtyllave elektrike nga druri të cilat janë vendosur rreth 40 apo 50 vjet më parë. Sipas banorëve tashmë të gjithë janë taksapagues të rregullt ndaj faturave të energjisë, andaj niveli i cilësisë dhe sigurisë duhet të rritet.
Me gjendje më të keqe janë disa lagje në fshatrat Mirenë, Baicë, Krojmir, Shalë, Kleçkë, Divjakë e të tjera.
Fatgëzim Azemi nga Mirena e Lipjanit ka thënë për Telegrafin se shtyllat e vjetruara nga druri duhet me urgjencë të zëvendësohen sipas standardeve.
“Vjetërsia e shtyllave prej 40 apo 50 vjet po paraqet rrezik për lagje të ndryshme qoftë në Mirenë, Baicë, Krojmir, Shalë, Divjakë, Kleçkë e të tjera, andaj shkaku i kësaj shpeshherë paraqiten edhe defekte në rrjetin elektrik. Ne kërkojmë që sa mëç shpejt të bëhen investime sipas standardeve sepse tashmë të gjithë janë taksapagues të rrymës, prandaj kërkojmë cilësi dhe siguri”, ka thënë Azemi.
Ndërkaq, banori tjetër nga Shala, Ardi Ademi, ka thënë se në disa lagje ende ekzistojnë shtyllat e drurit të viteve të 90-ta.
“Duhet të ndrrohen ato me shtylla të betonit sepse ato të viteve të 90-ta po paraqesin rrezik dhe ka raste që janë rrëzuar në tokë dhe kemi mbetur pa rrymë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër KEDS-i deri në momentin e raportimit nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit./Telegrafi/