Banorët e fshatit Cernillë të komunës së Ferizajt, prej më shumë se një muaj po përballen me mungesë të ujit të pijshëm që furnizohen nga KRU “Bifurkacioni”. Banorët janë ankuar se mungesa e ujit të pijshëm po e vështirëson jetesën, andaj kanë kërkuar me urgjencë të riparohen defektet.
Kryetari i fshatit, Agon Zhinipotoku, ka thënë se uji i ujësjellësit është i domosdoshëm pasi që banorët e përdorin për pije por edhe për pastrim.
“Kemi provuar të kontaktojmë me kompaninë e ujësjellësit për mungesën e ujit, por nuk i dimë arsyejet, andaj është e pa pranueshme të kemi mungesë të ujit për një kohë kaq të gjatë dhe ende nuk ka asnjë zgjidhje. Më të shqetësuar jemi se uji i pijshëm po na mungon në kohë të Ramazanit”, ka thënë ai.
Rreth kësaj çështje, të martën ka reaguar edhe kuvendari nga lëvizja vetëvendosje në Ferizaj, Amir Rexhepi, i cili ka kërkuar përgjegjësi nga KRU “Bifurkacioni”.
“Kemi edhe shumë fshatra të tjera përveç Cernillës, të cilat përballen me mungesë të ujit. Ne e kemi ngritur zërin disa herë lidhur me mungesën e ujit, por ankesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër. Ne kemi kërkuar edhe nga qeverisja lokale të angazhohet për ta përmirësuar gjendjen me ujë të pijshëm”, ka thënë Rexhepi.
Në anën tjetër Telegrafi Është në pritje të një përgjigjeje nga menaxhmenti i KRU “Bifurkacioni” lidhur me këtë çështje./Telegrafi/