Site icon Telegrafi

Banorë të lokalitetit “Jeta e Re” kërkojnë asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave

Rruga “Rexhep Stublla” në lokalitetin “Jeta e Re” në Lipjan, prej disa vitesh shkaku i gropave po e vështirëson lëvizjen e banorëve dhe të nxënësve. Banorët janë ankuar se Komuna e Lipjanit nuk po i shqyrton kërkesat e tyre për rregullimin e rrugës.

Sipas banorëve këtë rrugë më së shumti e frekuentojnë nxënësit e shkollës “Vëllezërit Frashëri” të paraleles së ndarë në këtë lokalitet.

Ali Stublla, banor i kësaj lagjeje ka thënë për telegrafi se Komuna nuk po i shqyrton ankesat e tyre për asfaltimin e rrugëve brenda lokalitetit “Jetës së Re” e madje as ankesat për rrugën që çon te shkolla fillore.

“Si qytetar të këtij lokaliteti jemi të shqetësuar sepse rrugët me gropa po e vështirësojnë qarkullimin, ndërkaq me gjendje më të rëndë është rrugica që çon te shkolla fillore. Gropat dhe balta po shkaktojnë telashe më së shumti për fëmijët gjatë vajtje-ardhje nga shkolla, sidomos gjatë sezonit dimëror. Prandaj kërkojmë nga komuna t’i shqyrton kërkesat e banorëve lidhur me asfaltimin e disa rrugëve e rrugicave”, ka thënë Stublla.

Në anën tjetër komuna e Lipjanit nuk u është përgjigjur pyetjeve të telegrafit lidhur me shqetësimet e banorëve të lokalitetit “Jeta e Re”.  /Telegrafi/

 

Exit mobile version