Telegrafi

Banka Botërore ndihmon Kosovën për internet

“Zhvillimi i broadband-it është i pabarabartë në Kosovë, me boshllëqe të mëdha midis rajoneve rurale dhe urbane. Në të njëjtën kohë, madje edhe komunat rurale përballen me një rritje të vazhdueshme të popullatës, çfarë çon në shtimin e kërkesës për teknologjitë e broadband-it, informimit dhe komunikimit” thuhet në komunikatën e Bankës Botërore.

Për këtë ngjarje është shprehur edhe ministri i zhvillimit ekonomik, Blerand Stavileci i cili e ka cilësuar këtë bashkëpunim si shumë të frytshëm.

“Ministria dhe Qeveria e Kosovës kanë qenë shumë të kënaqur me progresin që është arritur në kuadër të bashkëpunimit me Bankën Botërore për TIK-të. Përmes asistencës teknike që na është dhënë, ne kemi fituar njohuri të reja të përgjithshme dhe praktike për hapat që qeveria e jonë duhet t’i marrë për të shtuar shtrirjen e shërbimeve të telekomunikacionit dhe për ta përmirësuar ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës, duke krijuar kështu faktorë të shumtë të jashtëm pozitivë, siç është krijimi indirekti vendeve të punës dhe mbrojtja e mjedisit “,tha Stavileci.

Projekti në fjalë po shihet si i një mundësi për punë nga menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë.

“Teknologjitë moderne mund të jenë mjete të fuqishme për t’i adresuar sfidat kryesore të papunësisë dhe pasivitetit ekonomik në Kosovë, të cilat janë të theksuara sidomos kur kemi të bëjmë me të rinjtë dhe gratë që kanë njohuri për teknologjinë,por që, shumë shpesh, janë të kufizuar sa i përket lëvizshmërisë së tyre për shkak të përgjegjësisë familjare për tu kujdesur për fëmijët apo të moshuarit” – tha Jan-Peter Olters, Menaxher i Bankës Botërore në Kosovë,thuhet në kumtesën e Bankës Botërore, (Telegrafi)